Gjykimi i Luan dhe Enver Arifajt - Foto: KALLXO.com

Istog, konflikti që dyshohet se ndodhi për shkak se i shtinte lopët në livadh

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi i Luan Arifajt, i akuzuar për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, dhe i Enver Arifajt, i akuzuar për kanosje.

Dëshminë sot e ka dhënë i dëmtuari Ukë Idrizaj.

Ai ka rrëfyer për ngjarjen që ka ndodhur më 10 tetor 2018.

“E kanë nxerrë revolen dhe kanë thënë: “Ju vras të dyve si qen”. Një herë fillimisht ka tentuar me më vra me allti por djali i ka dalë përpara. Pastaj ka qëllu një herë. E vërtetë është se Luani fillimisht ka dashtë me m’godit me armë,  ka ndërhy Ylberi dhe pastaj ka shku prapa dhe më ka qëllu”, tha i dëmtuari.

Në seancë, pas leximit të provave, i akuzuari Luan Arifaj është mbrojtur në heshtje, gjersa Enver Arifaj ka pranuar paraprakisht fajësinë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Luan Arifaj, avokati Haxhi Millaku, i ka propozuar trupit gjykues që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet  masa e arrestit shtëpiak dhe t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor.

Ky propozimi i mbrojtësit Haxhi Millaku është refuzuar nga trupit gjykues.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga kryetarja Lumturije Muhaxheri dhe anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Violeta Husaj-Rugova.

Prokuroria akuzon Luan Arifajn se më 10.10.2018 në fshatin Muzhevinë të Istogut, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Ukë Idrizaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Luan Arifaj pasi kishte dëgjuar fjalët nga babai i tij, Enveri, i kishte thënë të dëmtuarit se pse po ma kërcënon babanë.

Në këtë rast, i dëmtuari Ukë Idrizaj u kishte thënë “po i çoj gratë në shpi dhe po kthehem e po merremi vesh”.

Mosmarrëveshja, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishin nisur pasi që sipas të dëmtuarit, i akuzuari Enver Arifaj po ia dëmtonte frytet në livadhin që ai e kishte marrë me qira, duke i futur lopët në të.

Dosja e Prokurorisë sqaron se me t’u paraqitur i dëmtuari Ukë Idrizaj bashkë me djalin e tij, Ylberin, i akuzuari Luan Arifaj fillimisht i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: “Pse ti po ma kërcënon babën”, e pastaj ka shtënë me armë në drejtim të tij, duke e qëlluar në regjionin e sipërm të këmbës se majtë.

Më këto veprime Luan Arifaj akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë dhe  armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Enver Arifaj akuzohet se në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend ka kanosur të dëmtuarin Ukë Idrizaj, duke tentuar ta godasë me një hu në kokë. Por, i pandehuri është penguar nga djali i të dëmtuarit, Ylberi.

Seanca e radhës mbahet më 8 tetor, kur edhe do të jepet fjala përfundimtare.