Gjykimi i Menderes Sinanit. Foto: Kallxo.com

Ish-togeri i policisë në rigjykim për ryshfet, ndikim e shmangie nga taksat doganore

Në gjykatën e Ferizajt ka vazhduar seanca e rigjykimit ndaj ish-zyrtarit të Policisë, Menderes Sinani, i akuzuar për disa vepra penale, ndër to marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore e dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Në këtë rast po gjykohet edhe Vahid Tahiri, i akuzuar për shmangie nga tatimet doganore.

Menderes Sinani ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Ferizajt dhe ishte dënuar me burgim prej 7 vitesh dhe ndalim të ushtrimit të ndonjë profesioni për 5 vjet, ndërsa Vahid Tahiri ishte shpallur i pafajshëm.

Dënohet ish-Togeri Menderes Sinani

Por mbrojtja e të akuzuarit Menderes Sinani dhe Prokuroria kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, ndonëse nuk është më pjesë e Gjykatës së Ferizajt pasi ka kaluar si gjyqtar në Departamentin Special, njoftoi se me kërkesë të kryetarit të Gjykatës së Ferizajt dhe me vendim të Këshillit Gjyqësor do të jetë në Ferizaj për ta vazhduar dhe zgjidhur deri në fund këtë rast.

Duke e dhënë mbrojtjen gjatë seancës së sotme, Menderes Sinani u shpreh se kishte shkuar në shtëpinë e Bidajet Sylejmanit “me insistimin e dhëndrit të tij, Xhemshirit, i cili më ka thënë se këtë e ka kërkuar babai i Bidajetit”.

“Ai ka qenë një takim familjar, pasi që ne e kemi njëfarë lidhje familjare”, tha i akuzuari.

Por ish-togeri Sinani mohon të jetë takuar atë ditë me qëllim për të folur lidhur me arrestimin e Bidajet Sylejmanit.

“I kam thënë Bidajetit ki kujdes nga Besimi, ai nuk është aq djalë i mirë sa duket”, tha Menderes Sinani.

Ndërsa prokurori i rastit Rasim Maloku ia shfaqi një komunikim përmes SMS të nxjerrë nga përgjimet ku Besimi i supozohet t’i kishte thënë Xhemshirit se “unë nuk mundem ta ndihmoj Bidajetin por Menda mundet”.

Me këtë rast, prokurori e pyeti Menderes Sinanin nëse ka koment për këtë.

“Këtu shihen manipulimet e Besimit në emër tim”, tha ai.

Tutje prokurori sa i përket të akuzuarit Vahid Tahiri i cili akuzohet për shmangie nga pagesat e taksave të detyrueshme, tha se nuk ka pyetje sepse kjo vepër e ka arritur parashkrimin absolut.

Fjala përfundimtare u caktua më 20 dhjetor,

Menderes Sinani, i cili drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt, akuzohet nga Prokuroria e Ferizajt për veprat penale- shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa Vahid Tahiri akuzohej për shmangie nga tatimet doganore.

Bashkë me Sinanin, po për shpërdorim detyre, akuzohej edhe polici tjetër Besim Shabani, i cili është dënuar tashmë me 5 vjet burg nga Gjykata në Ferizaj.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Apeli Shqyrton Dënimin e ish-Togerit Menderes Sinani