Ish-shefit të akuzuar të Shërbimeve Publike në Malishevë i rikualifikohet vepra penale
Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj të akuzuarit Ismet Mazreku, ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë, sot ishte planifikuar që të jepej fjala përfundimtare.
Mirëpo rikualifikimi i veprës penale bëri që kjo të mos ndodhte në seancën e sotme të mbajtur në Gjakovë para trupit gjykues në përbërje prej Nikollë Komani, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, njoftoi se Prokuroria ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare, në veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Mazreku, avokati Emrush Kastrati kërkoi nga gjykata që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet drejtori i Shërbimeve Publike në atë kohë, Milazim Morina.
Avokati Kastrati pretendon se dëshmitari do t`i kontribojë rastit dhe të eliminojë dyshimet e nënshkrimit të dokumentit.
Një propozim të tillë, e kundërshtoi prokurori i qështjes Ramiz Buzhala, duke thënë se me dëgjimin e tij nuk do të kontribohej asgjë në zbardhjen e kësaj çështje.
Në anën tjetër, trupi gjykues refuzoi që të dëgjohet dëshmitari Milazim Morina, me arsyetimin se nuk është kontestuese se i akuzuari e ka nënshkruar dokumentin zyrtar pa dalë në vendin e ngjarjes.
Më pas, gjykimi vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit pasi që është rikualifikuar vepra penale.
I akuzuari Ismet Mazreku, tha se po i mohohet e drejta për dëgjimin e dëshmitarit, me të cilën do ta vërtetonte nënshkrimin e dokumentit në zyrë.
Mazreku tha se raportin e pranimit të kabllos elektrike e kishte nënshkruar nga zyra, pa dalur në teren.
“Nëse unë nuk e kisha nënshkruar atë raport, pagesa nuk ishte kryer nga ana e komunës”, deklaroi i akuzuari Ismet Mazreku.
Ndërsa, në fjalën përfundimtare prokurori Ramiz Buzhala, kërkoi nga gjykata që i akuzuati Mazreku të dënohet sipas ligjit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit avokati Emrush Kastrati, kërkoi nga gjykata që të ketë parasysh elementin e dashjes dhe aktgjykimin e gjykatës Supreme si dhe të njëjtin ta lirojë nga aktakuza e Prokurorisë.
Për shpalljen e aktgjykimit, u caktua data 21 dhjetor.
Në sallë të gjykimit nuk ishte i pranishën përfaqësuesi i komunës së Malishevës, Mujë Sahitaj.
Seancën e kaluar kishte dëshmuar fituesi i tenderit.
Në këtë rast ka dëshmuar edhe përfaqësuesi i komunës, Mujë Sahitaj.
Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak se i akuzuari ka kërkuar të flasë me prokurorin.
Mazreku akuzohet se ka pranuar kabllon me tension të ulët ndërsa kablloja është dashur të vendoset me tension të lartë, sipas shkresës së raportit.
Ky rast, pasi që kishte marrë verdiktin përfundimtar nga Gjykata Themelore e Gjakovës, ku ishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim me kërkesën e të akuzuarit iu zëvendësua me gjobë prej 3.400 euro dhe më pas të njëjtin vendim e kishte aprovuar edhe Gjykata e Apelit.
Poashtu, si obligim tjetër Ismet Mazrekut i’u kishte dhënë edhe kompenzimi i dëmit ndaj komunës së Malishevës, në shumë prej 8.727.90 euro.
Kundër këtij vendimi, avokati i të akuzuarit kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i gjykatës së Gjakovës nuk përmbante shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit dhe se në të njëjtin aktgjykim ishin dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare.
Poashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë e kishte vërtetuar se i akuzuari Ismet Mazreku kishte kryer veprën penale, sepse i njëjti kishte lëshuar fatura se gjoja e kishte blerë kabllin elektrik të fshatit Gajrak sipas kontratës me numër 74, të nënshkruar nga zyra e prokurorimit public në mes të komunës së Malishevës dhe autoritetit kontraktues, e cila kontratë nuk ishte realizuar nga komuna, por punët për montimin e kabllos elektrike ishin kryer nga KEDS-i.
Mirëpo, pas kërkesës për mbrotje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokati i të akuzuarit Emrush Kastrati, Gjykata Supreme kishte anuluar të dyja vendimet dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Gjakovës.
Sipas vendimit të Supremes, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë kishte qenë në kundërshtim me dispozitivin, në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës së prokurorimit dhe se i njëjti dispozitim ishte i pakuptueshëm.
Në vendimin e Supreme thuhet se pretendimi në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për atë se nuk ishte vërtetuar dashja e të dënuarit në kryerjen e veprës penale dhe se në dëm të tij është bërë shkelje e ligjit penal, është i bazuar.
Gjatë gjykimit, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat e akuzon Prokuroria.
Në këtë rast, KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurorimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.
Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.
Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.