Raportimi i Driton Gashit në Komision | Foto: KALLXO.com

Ish shefit të AKI-së dhe dy të akuzuarve tjerë u refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës në rastin e 'gylenistëve'

Gjykata Themelore e Prishtinës sërish e ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës kundër Driton Gashit, ish shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Valon Krasniqit zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmanit, zyrtar policor, të cilët po akuzohen për ekstradimin e gjashtë shtetasve turq.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit Valon Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha. Ai gjithashtu shtoi se këtë aktvendim do ta apelojnë.

Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u depërtuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq, u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për depërtimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u depërtua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte depërtuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Ndonëse i depërtuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.