Foto: Kallxo.com

Ish-shefi i prokurimit dëshmon në gjykimin e ish-drejtorit Arsimit në Drenas

Ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, është ulur në bankën e të akuzuarit për t’u përgjigjur në akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria po akuzon Sadik Tahirajn se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, i kishte kaluar kompetencat e tij duke i mundësuar përfitim vetes dy bizneseve.

Seanca gjyqësore vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Mehmet Rama, i cili ishte ftuar nga gjykata për të ofruar disa të dhëna lidhur me procedurën e tenderimit, i cili kishte qenë zyrtar i prokurimit publik në Kuvendin Komunal të Drenasit.

Dëshmitari Rama deklaroi se kishte qenë  shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gllogovcit në vitin 2015 ndërsa i shpjegoi gjykatës detyrat dhe përgjegjësitë e tij në këtë post.

Ai tha se kontrata dhe aneks kontrata janë ndjekur sipas procedurës së prokurimit.

“ Po dhe atë jam i bindur qind për qind. Krejt janë zhvillu procedurat, edhe ka pasur njoftime dhe çdo send ka qenë në rregull”, tha Mehmet Rama.

Gjyqtari i rastit Naser Foniqi e pyeti dëshmitarin nëse ish-drejtori i Arsimit, tani i akuzuari Sadik Tahiraj, kishte marrë pjesë në ndonjë hap të procedurës.

“Gjatë kësaj procedure, Drejtori i Arsimit si autorizues ka bërë kërkesë që të zhvillohet procedura e prokurimit.  Drejtoria e Arsimit s’ka pasë njerëz profesionalë dhe kompetentë, ka qenë Drejtoria e Urbanizimit, paramasat i kanë hartuar Drejtoria për Urbanizëm të cilat edhe tash i hartojnë dhe mbikëqyrjen edhe sipas ligjit e cakton menaxheri Zyrtari Kryesor Administrativ – Kryetari i Komunës dhe zakonisht është caktu prej urbanizimit për arsye se drejtori i Arsimit nuk ka pasur inxhinierë, për arsye se me ligj duhet të jetë njeri profesional me përvojë”, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari shtoi se “roli i autorizuesit si Drejtor është që projekti i vet të kryhet sa më shpejt dhe sa më mirë, sepse duhet t’i përgjigjet kuvendit (komunal)”.

Në pyetjen gjyqtarit Naser Foniqi nëse i kujtohet rasti i renovimit të kulmit të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshevc dëshmitari deklaroi se nuk kishte qenë në rrjedha.

“ Jo, por e di se më vonë jam informuar se renovimin e kulmit e ka bërë një firme e Dobroshevcit, mirëpo as sot nuk jam në rrjedha as a ka pasë urdhër për me  u kry ato punimet,  as a ka pasë raport të pranimit. Rastet emergjente janë në drejtori për emergjencën dhe drejtoria për emergjencë e ka pasë edhe stafin edhe përshkrimin e punëve, punëtorët i ka pasë për raste emergjente”, shtoi tutje ai.

Dosja e Prokurorisë e ngarkon Tahirajn se pa përfillur procedurat e tenderimit kishte angazhuar kompanitë “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K. për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill të shkollës fillore “Rasim Kiçina” në Drenas dhe rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec.

Sipas aktakuzës, pa u përfillur procedura e tenderimit, është lidhur marrëveshja e mirëkuptimit në mes Sadik Tahirajt dhe “Al Trade” për furnizimin me material për ndërtimin e depos për thëngjill në shkollën “Rasim Kiçina” për të cilën është dashur Komuna e Drenasit të paguajë shumën prej 8,543.31 euro.

Ndërsa me “A&I”, Sadik Tahiraj kishte lidhur marrëveshje mirëkuptimi për rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” pa përfillur procedurat e tenderimit, për të cilën Komuna e Drenasit kishte paguar 17,043.50 euro.

Nexhat Demaku rrëfehet në Gjykatë për punësimin pa konkurs për të cilin akuzohet