Arkiv - Seanca ndaj ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, i akuzuar lidhur me deportimin e gylenistëve. FOTO - KALLXO.com

Ish shefi i AKI-së sot para gjyqit për rastin e ‘Gylenistëve’

Procesi gjyqësor në rastin e njohur “Gylenistët” pritet të vazhdojë sot në Gjykatën e Prishtinës.

Driton Gashi, ish-shef i AKI-së dhe zyrtarët Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq në vitin 2018-të.

Në seancën e sotme pritet të dëgjohen dëshmitarët, të thirrur nga prokurorja e rastit, Habibe Salihu.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi ecurinë e këtij rasti.

Sipas Prokurorisë Speciale deportimi i tyre ishte bërë në kundërshtim me procedurat ligjore.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina, u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan ishte deportuar për në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir. Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe i pandehuri Rrahman Sylejmani dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjet e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht-shtetit të dështuar të vitit 2016.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq mund t`i lexoni duke klikuar në LINK