Arkiv - Seanca ndaj ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, i akuzuar lidhur me deportimin e gylenistëve. FOTO - KALLXO.com

Ish shefi i AKI-së ballafaqohet në gjykatë me deklaratat e dëshmitarëve në rastin e deportimit të 'gylenistëve'

Driton Gashi, ish-shef i AKI-së dhe zyrtarët Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani, janë ulur të mërkurën (09.02.2022) në bankën e të akuzuarve.

Të tre këta akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq në vitin 2018-të.

Në nisje të këtij procesi gjyqësor, prokurorja e rastit Habibe Salihu deklaroi se gjatë gjykimit do të provojë fajësinë e të akuzuarve në këtë rast, përderisa të kundërtën e saj e thanë mbrojtësit e të akuzuarve.

Ata deklaruan se klientët e tyre në këtë rast janë të pafajshëm, të njëjtën gjë e deklaruan edhe të akuzuarit para trupit gjykues.

Pas fjalës hyrëse gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve. I pari i cili u thirr për të dëshmuar në këtë rast ishte drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare, Ragip Bunjaku, i cili në kohën kur kishte ndodhur rasti kishte qenë drejtor për menaxhimin e kufijve.

Bunjaku tha se në ditën kritike nuk ishte informuar për planin operativ.

“Nuk kam qenë i informuar, është dashtë të njoftohem unë së pari, pasi që ka pas të bëjë me divizionin që unë e kam udhëheq. Në atë kohë ka ardh Togere Merita Salihu, më ka kërkuar veturën duke aluduar se ishte kërkesë e Shaban Gudës dhe vetëm më ka thënë se ‘veç e kemi një plan’, dhe unë më nuk i kam thënë asgjë”, deklaroi Bunjaku.

Ai tha se për rastin e shtetasve turq kishte kuptuar përmes një telefonate nga Kapiten Luan Keka, i cili e kishte pyetur për këtë rast.

“Pas një kohe major Blerim Rama e ka marrë një telefonatë nga Luan Keka dhe e ka pyetur se ‘a i keni arrestu disa shtetas të huaj?’. Përgjigja e Blerimit ishte ‘jo’. Ai më pyeti edhe mua dhe i thash nuk e di. Më pas Kolonel Sylejmani, porsa është kthyer nga aeroporti ka ardhë ne zyrën time dhe më ka njoftuar se janë shoqëruar disa shtetas turq të cilët janë dërguar në aeroport dhe janë dëbuar jashtë vendit”, tha Bunjaku.

Ai shtoi se Kolonel Sylejmani i kishte thënë se urdhëri kishte qenë që askush të mos njoftohej.

“Ai më tha se urdhëri ka qenë i tillë që askush të mos njoftohet, për këtë nuk kam ditur asgjë. Ai më tregoi se një ditë më parë ishte thirrë nga Kolonel Guda në një takim, ku kanë marrë pjesë edhe dy përfaqësues nga AKI-ja dhe Valon Krasniqi, drejtori i Departamentit për Azil dhe Migracion”, shtoi ai.

Dëshmitari Bunjaku deklaroi po ashtu se deportimi i shtetasve turq ishte bërë nga AKI-ja.

“Organizimi për deportimin e shtetasve turq është bërë nga AKI deri në momentin kur janë dorëzuar dokumentet, ndërsa deportimin e ka bërë policia”, tha dëshmitari.

Pas Bunjakut para trupit gjykues u dëgjua edhe dëshmitari Fazli Falizu, i cili ishte shef i njësitit të migracionit në kuadër të Aeroportit të Prishtinës.

Ai tha se para se të ndodhte dëbimi, Valon Sylejmani i kishte kërkuar që të nesërmen të asistonte në dëbimin e disa shtetasve të huaj, pa i dhënë ndonjë detaj tjetër.

“Një ditë para dëbimit të shtetasve turq jam njoftuar nga Koloneli Sylejmani që nesër të asistoja në dëbimin e disa shtetasve. Zakonisht kërkohet që t’ju mundësohet një kalim sa më i lehtë i kufirit”, tha Fazliu.

Fazliu dëshminë e vazhdoi me ngjarjet e ditës së dëbimit.

“Në mëngjes unë kam shikuar mundësinë që kalimi i kufirit të bëhej përmes zonës VIP, ku kemi shkuar së bashku me Hamit Rukiqin i cili ishte drejtor për migrimin e të huajve. Ai më kishte njoftuar po atë ditë për dëbimin”, tha Fazliu.

Fazliu tregoi edhe për momentin kur shtetasit turq ishin sjellë në Aeroportin e Prishtinës.

“Atë ditë kam qenë aty deri në deportimin e personit të tretë apo të katërt, e kam kontaktuar Togerin Lulzim Rama, duke i thënë se a je i njoftuar për ngjarjen që po ndodh tani? Pastaj më thotë që ‘çdo gjë është në rregull se ne jemi të informuar’, unë arsyet dhe shkaqet e deportimit nuk i kam ditë”, tha Fazliu.

Dëshmitari Fazliu tregoi edhe për mënyrën e kalimit të kontrollit kufitar të personave të dëbuar.

“Një ose dy persona kanë kaluar përmes kontrollit, pastaj ndoshta deri te personi i tretë apo i katërt bashkë me Hamitin i kemi përcjellë deri tek aeroplani së bashku me dy zyrtarë policor”, tha Fazliu.

Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Sipas Prokurorisë Speciale deportimi i tyre ishte bërë në kundërshtim me procedurat ligjore.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina, u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan ishte deportuar për në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir. Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe i pandehuri Rrahman Sylejmani dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjet e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht-shtetit të dështuar të vitit 2016.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Nis seanca ndaj personave që dyshohet se kishin dorë në deportimin e shtetasve turq

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq mund t`i lexoni duke klikuar në LINK