Ish-sekretari pretendohet se i bleu vëllait makinën e shtrenjtë Audi F2 S7
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish–sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtareve të po kësaj ministrie, duke refuzuar kështu si të pabazuar ankesën e mbrojtjes.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i Betim Reçices, avokati Florim Vertopi.
Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e ish- u.d drejtorit të prokurimit brenda Ministrisë së Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të Autostradës së Gjilanit. Këtë vepër sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.
Sipas aktakuzës Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.
Për të njëjtin tender Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për tu shpallur kompani e përgjegjshme.
Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.
Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes së cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të ministrisë.
Po ashtu sipas aktakuzës ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H.M dhe A.B t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar. Ky veprim sipas Prokurorisë e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.
Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpërlaje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.
Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.