FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Ish sekretari i Këshillit Prokurorial deklarohet lidhur me akuzat për afera korruptive

Ish sekretari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha aferat korruptive për të cilat po akuzohet se është përfshirë gjatë kohës kur kishte udhëhequr me sekretariatin e KPK-së.

Mbi Krasniqin rëndojnë dy akuza për keqpërdorim si dhe akuza për ushtrim ndikimi dhe mos raportim i pasurisë.

Përpos tij në këtë rast akuzohen edhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Prokurorial të Kosovës duke përfshirë edhe shoferin personal të Lavdim Krasniqit dhe asistenten e tij.

Të gjithë zyrtarët e KPK-së janë deklaruar të pafajshëm lidhur me të gjitha akuzat me të cilat po i ngarkon prokuroria e Prishtinës.

“Janë deklaru të pafajshëm, tash brenda 30 ditë kemi të drejtë me e bo kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës”, deklaroi avokati Ramë Gashi, i cili në këtë rast mbron të akuzuarin Krasniqi.

Ish drejtori i sekretariatit të KPK-së akuzohet se bashkë me shoferin e tij në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga Bashkim Mulolli duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg prej 4 vite e 7 muaj. Dënimi në fjalë ishte zvogëluar nga gjykata e Apelit në 3 vite e 7 muaj.

Të dy akuzohen edhe se me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishin mundësuar një të dyshuari për tentim vrasje që të arratisej nga Kosova drejtë Shqipërisë.

Sipas prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur llogon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më që rast kishin depërtuar në territorin e Shqipërisë.

Përpos këtyre veprave Krasniqi akuzohet edhe për keqpërdorime në dhënien e tenderëve. Sipas aktakuzës ai së bashku me zyrtaren tjetër Flora Doda kishin porosituar dhe pranuar mobile në vlerë prej 9480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Vepra e fundit e cila rëndon mbi ish drejtuesin e sekretariatit të KPK-së është mos deklarimi i pasurisë. Sipas prokurorisë ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërkaq shoferi i tij, Ardian Krasniqi akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare pasi sipas prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit covid për Bashkim Mulollim me qëllim që të njëjtit ti mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza të rënda rëndojnë edhe për asistenten e Krasniqit, Marigona Berisha. Sipas prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të Bashkim Mulollit me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj. Deri tek zbulimi i kësaj vepre sipas prokurorit Zejnullah Gashi kishte ardhur pasi ekspertiza e Agjencisë Kosovare për Forenzike kishte konstatuar se nënshkrimi i Bashkim Mulollit në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos saj, Berisha akuzohet edhe se kishte pranuar pasurinë përkatësisht veturën e tipit “VË T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro edhe pse ka qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në gusht të këtij viti. Krasniqi dhe asistentja e tij ishin arrestuar në fillimit të muajit mars lidhur me dyshimet për përfshirje në afera korruptive.

Arrestimi i tyre kishte tronditur opinionin publik

https://kallxo.com/lajm/pervec-lavdim-krasniqit-edhe-nje-zyrtare-e-kpk-se-u-shoqerua-ne-polici-si-e-dyshuar-per-keqperdorim-te-detyres/