Ish rektori Vataj mohon se ia ka cenuar të drejtën e punësimit kandidatit Vehbi Miftaraj

 

Ramë Vataj, ish rektor i Universitetit të Prizrenit, gjatë mbrojtjes së dhënë ka mohuar se ia ka cenuar të drejtën e punësimit kandidatit Vehbi Miftari.

Sipas tij çështja e zgjedhjes së kandidatëve të pranuar nuk është kompetencë e rektorit.

“Rektori nuk ka të drejtë të marrë pjesë në vlerësimin e kandidatëve, kjo gjë mund të bëhet pas vlerësimit të komisioneve dhe senatit”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka sqaruar se të gjitha organet dhe komisionet e formuara në universitet kanë përgjegjësitë e tyre. Ndërsa, kur bëhet pranimi i kandidatëve apo merren vendime të tjera nga ana e senatit, si rektor Vataj ka thënë se e ka obligim ta pranoj vendimin dhe ta nënshkruaj.

Ish rektori ka mohuar faktin se e ka pranuar ndonjë vendim të lëshuar nga ana e inspektoratit. Mirëpo, sipas tij një vendimi i tillë mund të ishte shqyrtuar nga njësitë e tjera brenda universitetit.

“Nuk më kujtohet vendimi i inspektoratit, ngase po të kisha dijeni për këtë vendim do ta njoftoja zyrën ligjore që të veproj”, ka thënë Vataj.

Seanca e radhës ku do të jepet fjala përfundimtare lidhur me këtë rast u caktu për 10 dhjetor 2021.

Vataj akuzohet se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia ka mohuar apo kufizuar personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.a

Sipas Prokurorisë ai nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.

Ai në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.