Arkiv - Ramë Vataj, ish-rektor i Universitetit të Prizrenit | Foto: Facebook

Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj deklarohet sërish i pafajshëm

Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzën e prokurorisë.

Rasti ndaj Ramë Vatajt është kthyer në pikën zero, pasi që Apeli ka gjetur shkelje të procedurës dhe ligjit.

Të premtën, Vataj u deklarua sërish i pafajshëm, madje ai tha se është i dëmtuar në këtë rast.

“Nuk e pranoj fajësinë, madje në këtë rast konsideroj se unë jam i dëmtuar”- tha ai.

Ish-rektori Vataj po gjykohet se ia ka cenuar të drejtën e punësimit kandidatit, Vehbi Miftari.

Vataj ka komentuar se Inspektorati nuk ka të drejtë që të ndërhyjë në përzgjedhjen e stafit akademik.

“Unë e kam bërë këtë ligj, kam qenë deputet, asnjë ligj nuk ia jep të drejtën e inspektoratit të ndërhyjë”- u shpreh Vataj.

I akuzuari Vataj ka konsideruar se kjo aktakuzë është e qëllimshme.

“Aktakuza është e qëllimshme, vetëm të më njollosin”- tha mes tjerash Vataj.

Seanca e radhës u caktua për datën 25 nëntor 2022.

Ramë Vataj akuzohet se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia ka mohuar apo kufizuar personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.

Sipas organit të akuzës, Vataj në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.

Me këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale cenim i të drejtës në punësim.

Për këto akuza, Vataj në dhjetor të vitit 2021 ishte dënuar me 1,500 euro gjobë.

Por  pas ankesës nga mbrojtësi i të akuzuarit, Labinot Vata çështja është kthyer në rigjykim