Seanca ndaj të akuzuarit Agron Matjani - 22.11.2019

Ish-prokurori Agron Matjani në bankën e të akuzuarit, deklarohet për fajësinë

Agron Matjani, ish prokuror, i akuzuar pasi në disa raste penale, në cilësinë e prokurorit, në mënyrë drastike i ka zbutur kualifikimet e veprave penale ndaj të akuzuarve është deklaruar rreth fajësisë së tij para gjykatës së Prishtinës.

Ish prokurori i akuzuar, Agron Matjani tha se “Nuk e pranoj fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi ju shpjegua nga prokurorja Merita Rugova arsyet pse akuzohet.

Ish prokurori Agron Matjani deklaroi se “Kërkoj nga gjykata të më caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare për shkak se kam probleme shëndetësore, jam i papunë dhe baba i 4 fëmijëve”.

Prokurorja Merita Rugova deklaroi se për këtë vepër mbrojtja nuk është e nevojshme por “ia lëmë gjykatës të vendos”.

Agron Matjani akuzohet pasi në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar- prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.

Aktakuzë kundër ish-prokurorit Agron Matjani

Ky është prokurori i dytë që del para drejtësisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pas ish prokurores Vahide Badivuku nga Mitrovica.