Gjykimi i Shefki Spahiut - Foto: KALLXO.com

Ish-polici i akuzuar për vrasje kërkon përjashtimin e gjyqtares nga rasti i tij

Ish-polici, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e një të riu në një kazino në Suharekë, edhe sot ka kërkuar të dërgohet në ekzaminim psikiatrik.

Pasi që gjyqtarja Ajser Skenderi dy herë ka refuzuar kërkesën e ngjashme, i pandehuri kërkoi përjashtimin e kësaj gjyqtareje (që është kryetare e trupit gjykues) nga rasti i tij.

“Qëllimi është që t’i shkaktohet presion Gjykatës”, tha prokurori i rastit Mehdi Sefa, lidhur me kërkesën e avokatit Emrush Kastrati për përjashtimin e gjyqtares Ajser Skenderi nga ky rast.

Edhe gjatë fazës së hetimit prokurori Mehdi Sefa për KALLXO.com kishte thënë se i akuzuari Shefki Spahiu kishte kërkuar të dërgohej në ekzaminim psikiatrik.

Detaje të reja në hetimet për vrasjen në kazino të Suharekës

Shefki Spahiu, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës me gradë të rreshterit, po ballafaqohet me akuzat për vrasje të rëndë dhe për manipulim me prova.

Polici Spahiu po akuzohet se më 17 mars 2019 në Suharekë, në një kazino, e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me dashje dhe në mënyrë dinake kishte privuar nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.

Ndërsa për veprën e dytë për manipulim me prova, Prokuroria pretendon se Shefki Spahiu pas kryerjes së vrasjes kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat.

Për këtë vepër, i akuzuari Spahiu e kishte pranuar fajësinë qysh në seancën e parë.

Foto: KALLXO.com

Kur kanë kaluar 10 muaj nga ngjarja e ndodhur, dhe kur po pritej që të fillonte shqyrtimi kryesor ndaj të akuzuarit Shefki Spahiu, një kërkesë e mbrojtësit të tij avokatit Emrush Kastrati ka ndërprerë çdo veprim të Gjykatës.

Në sallën e stërmbushur me familjarë të të ndjerit Jetmir Aliaj, me të hapur seancën kryesore kur gjyqtarja Ajser Skenderi i  njoftoi palët me trupin gjykues, avokati Emrush Kastrati kërkoi ndërprerjen e seancës.

Avokati tha se “gjatë fazave të deritanishme rezulton se sikur është paragjykuar situata me mosdhënien e mundësisë dhe trajtimin e barabartë si palë në procedurë”. Kjo, sipas avokatit Kastrati për shkak se Gjykata i ka refuzuar kërkesën të akuzuarit Shefi Spahiu që të dërgohet për ekzaminim psikiatrik.

“Nuk është mundësuar deri më tani ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit Shefki Spahiu, dhe konsiderojmë se në dëm të tij është shkelur Kodi i Procedurës Penale”, tha avokati Kastrati duke aluduar  se të akuzuarit Shefki Spahiu i është mohuar e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Gjyqtarja Ajser Skenderi me vendimin e datës më 29 korrik 2019 kishte refuzuar dy propozime të mbrojtësit të të akuzuarit.

Gjyqtarja Skenderi kishte refuzuar propozimin e avokatit Kastrati që i akuzuari të dërgohej për ekzaminim psikiatrik dhe kishte refuzuar propozimin e avokatit që gjatë gjykimit të ftoheshin 3 dëshmitarë të tjerë, të cilët nuk i kishte propozuar Prokuroria.

Këtë vendim të Gjykatës së Prizrenit më 5 shtator 2019 Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje këtë çështje.

Përsëri më 1 tetor të vitit 2019 gjyqtarja Ajser Skenderi ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij për ekzaminim psikiatrik dhe këtë vendim më 8 nëntor 2019 Gjykata e Apelit  e ka vërtetuar duke ia refuzuar ankesën avokatit Emrush Kastrati.

Gjykimi ende pa filluar është ndërprerë përderisa për kërkesën e avokatit Emrush Kastrati për përjashtimin e gjyqtares Ajser Skenderi nga ky rast do të vendos kryetari i Gjykatës Ymer Hoxha.

Të dëshpëruar nga salla e gjykimit u larguan familjarë të shumtë  të të ndjerit Jetmir Aliaj, 32-vjeçar, i cili u vra në vendin e tij të punës.

Në vendimin e Gjykatës me të cilën i është refuzuar kërkesa e të akuzuarit për ekzaminim psikiatrik thuhet se “I akuzuari deri në ditën kritike ka qenë në marrëdhënie pune me Policinë e Kosovës, ka qenë rreshter dhe se do të ishte palogjikshme dhe e pakuptimtë që ai të ishte në marrëdhënie pune me Policinë e Kosovës sikur të kishte pasur probleme të natyrës së tillë”.

“Kjo nga fakti se i njëjti si pjesëtar i Policisë së Kosovës i ka kaluar të gjitha testet e mundshme për verifikim të aftësisë psiko – fizike dhe se eventualisht po të kishte pasur probleme të natyrës së tillë me siguri mjeku i autorizuar për Policinë e Kosovës do të rekomandonte tretman mjekësor për Shefki Spahiun”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Prizrenit.

I akuzuari Shefki Spahiu ditë më parë është rrahur nga tre persona brenda Qendrës së Paraburgimit të Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Vrasja në kazino në Suharekë, Prokuroria: Polici i dëmtoi pajisjet e kamerave

I akuzuari Shefki Spahiu ka pranuar fajësinë për veprën penale manipulim me prova, ndërsa nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale vrasje e rëndë.

Polici Shefki Spahiu ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars 2019.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Dosja e prokurorisë: Polici dyshohet se qëlloi viktimën me armë zyrtare nga 1 metër afërsi

Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit i mungonte një plumb pas vrasjes.

Prokuroria: Policit të dyshuar për vrasje i mungonte një plumb

Kjo nuk është hera e parë që ish-polici Shefki Spahiu po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Në qershor të vitit 2016 Shefki Spahiu ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale për keqpërdorim seksual të dy të miturave.

Polici i Pafajshëm për Keqpërdorim Seksual

I njëjti ishte arrestuar në qershor të vitit 2015 dhe i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit.