ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Ish-polici hetues: Gani Geci ka qenë cak i një grupi të strukturuar që kryente vrasje, ku bënte pjesë edhe Ruzhdi Shaqiri

Sot në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar rigjykimi i Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj.

Gjatë seancës së sotme janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja Murat Mehmeti dhe Faton Ramadani.

Dëshmitari Mehmeti kishte punuar si zyrtar policor në Njësinë e hetimeve regjionale në Mitrovicë. Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ndrecë Dodaj, ai ka thënë se kjo Njësi kishte pasur për qëllim sigurinë fizike të personave në mesin e të cilëve edhe tani të akuzuarit Gani Geci, raporton KALLXO.com.

“Detyrë primare e kësaj Njësie ka qenë siguria fizike personale e disa personave në mes tjerave edhe tani të pandehurit tuaj Gani Geci dhe familjeve të tyre. Me sa më kujtohet deri në atë kohë 2003, persona të vrarë për shkak të fjalës së lirë, bindjeve politike kanë qenë 197 duke përfshirë ky ka qenë i plaguar, vrasje në tentativë, ndërsa bashkudhëtarët e tij kanë qenë të vrarë, jo vetëm në Mitrovicë”, tha Mehmeti.

Gjithashtu gjatë dëshmisë së tij Murat Mehmeti ka thënë se i akuzuari Gani Geci sipas informatave që kishin pasur në Polici kishte qenë cak i sulmeve nga një grup i strukturuar dhe i rrezikshëm, në mesin e të cilëve kishte qenë edhe tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri.

“Ne kemi pasur informacione operative nga zyrtarët policorë ndërkombëtarë dhe njësive ndërkombëtarë të inteligjencës së KFOR-it se Gani Geci ka qenë cak i përhershëm i sulmeve deri në vitin 2004, edhe ne si zyrtarë policorë po ashtu edhe strukturat e sigurisë ndërkombëtare nuk kemi pasur informacioneve konkrete, kështu që ne të gjitha vrasjet i kemi trajtuar si enigmatike, për këtë që nga janari i viti 2004 kemi ardhur te informacionet se një grup i strukturuar, ekstrem të rrezikshëm janë duke i kryer këto vrasje në mesin e të cilave ka qenë edhe personi që tash është viktimë Ruzhdi Shaqiri. Ky grup të gjithë kanë pasur dy ose tre identitete. Ne si hetuesi atëherë kemi pasur informacione por asnjëherë nuk kemi arritur të gjejmë dëshmi materiale për shkak se veprat penale të kryera janë kryer në mënyre profesionale, kur them profesionale  mendoj në zhdukjen e gëzhojave, në disa raste nuk kanë lënë gëzhoja”, tha dëshmitari Mehmeti.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit, dëshmitari Mehmeti ka thënë se Njësia e cila kishte qenë e destinuar për sigurinë e personave të caktuar kishte qenë gjithashtu sipas detyrës zyrtarë ‘’ex officio“ ndërsa vetë personat nuk kishin qenë në dijeni për këtë, raporton KALLXO.com.

Gjatë kësaj seance i ftuar në cilësinë e dëshmitari ishte edhe Faton Ramadani, i cili ka deklaruar se të ndjerin Ruzhdi Shaqiri e kishte njohur afërisht për 10 vjet ndërsa të akuzuarin Geci e kishte takuar për herë të parë kur ky i fundit kishte qenë deputet.

Ndërsa ka shtuar se në një rast kishte qenë me një shok të tij për të rregulluar dritaren e veturës, ndërsa aty ishte takuar me Gani Gecin por se nuk i kujtohej cilit vit kishte qenë.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve trupi gjykues me kryetar Radosllav Markoviq kanë bërë administrimin e provave të tjera, ndërsa për seancën e radhës pritet të merret në pyetje edhe vetë i pandehuri Gani Geci.

Sipas akuzës së Prokurorisë, e cila ishte ndryshuar më 1 prill 2016, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta Ruzhdi Shaqirin.

Akuza e Prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur si rezultat i një atentati të datës 19.10.2001, kur ishte plagosur Gani Geci e ishin vrarë Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dalë nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të daljes nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lart në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri i ishte drejtuar me fjalët: “A i ke mbledhë pleqtë për m’u betu se ku ke qenë rreth orës 19:10”. Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit: “Zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj!”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Gani Geci po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerrë revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Nga plagët e marra Ruzhdi Shaqiri vdes rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.