Ish-ministrat e Ramush Haradinajt “Marakli t ‘armëve”

‘Marakli t‘kerreve’, ‘Marakli t‘biçikletave’, ‘Marakli t‘shpijave’ e ‘Marakli t‘motorëve’, janë disa nga grupet e shumta në rrjetet sociale.

Ish-ministrat Dardan Gashi, Endrit Shala dhe Rasim Demiri kanë disa të përbashkëta.

Ata pos faktit që kanë qenë ministra në Qeverinë Haradinaj përgjatë viteve 2017 – 2019, duket që janë edhe  “Marakli t‘armëve”.

Dikur kolegë në Qeveri, që të tre ministrat janë dënuar nga Gjykata, sepse në raste të ndryshme kanë poseduar apo përdorur armë.

Dardan Gashi, ish-ministër për Diasporë, dhe Endrit Shala ish-ministër i Tregtisë, janë dënuar për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt. Ndërsa ish-ministri Rasim Demiri u dënua për përdorim të armës, më saktësisht pushkës gjysmë automatike.

Në dhjetor të vitit 2017 ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte dyfishuar pagën e tij, por as vartësit e tij ministra nuk i kishte lënë keq.

Rroga për një ministër kishte arritur në 2 mijë euro, nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.

Por përkundër rrogave të mira ish-ministrat para Gjykatës kishin deklaruar se gjendjen ekonomike e kishin të mesme.

Procedura para gjykatës parasheh që gjyqtari në shqyrtimin fillestar merr të dhëna personale nga të akuzuarit, i pyet ata për profesionin e tyre dhe gjendjen e tyre ekonomike.

Ish-ministrat Dardan Gashi dhe Endrit Shala kishin thënë se janë të gjendjes së mirë ekonomike, por kolegu i tyre, ish-ministri Rasim Demiri që aktualisht është deputet, para Gjykatës tha se është i gjendjes së mesme ekonomike.

Dardan Gashi dhe Endrit Shala janë dënuar për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt.

Dardan Gashi ishte dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,700 euro, edhe Endrit Shala ishte dënuar me gjobë në shumën prej 2,400 euro, ndërsa që të dy ish-ministrat kishin pranuar fajësinë për këto vepra në seancën fillestare.

Dënimet e tyre janë vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Ish-ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri ditë më parë  është dënuar për veprën penale posedim i armës apo mjetit të rrezikshëm, por i njëjti paraprakisht kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit.

Deputetit Demiri Gjykata e Prizrenit fillimisht i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh, e pastaj sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, me kërkesë dhe pëlqimin e të akuzuarit Demiri ky dënim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumën prej 900 euro.

Deputeti ka të drejtën e ankesës në shkallën e dytë sa i përket lartësisë së dënimit, nëse konsideron se Gjykata i ka shqiptuar dënim të lartë.

Demiri, që është deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia VAKAT edhe gjatë marrjes në pyetje në Prokurori kishte pranuar se me nipin e tij kishte shtënë me armë.

Në fillim të procedurës para Gjykatës, gjyqtari që ka rastin i pyet të akuzuarit edhe për profesionin e tyre dhe i pyet për të kaluarën e tyre kriminale.

Në të dy rastet e lartcekura, profesionet e të akuzuarve që ishin para gjyqtarit dallonin shumë nga të akuzuarit e zakonshëm.

Dardan Gashi kur ishte pyetur nga gjyqtari për profesionin e tij, ai kishte thënë se “punoj në Qeveri”, por gjyqtari i kishte kërkuar që të sqaronte pozitën e tij të punës, e Gashi kishte shtuar se “jam ministër i Diasporës”, gjithashtu i njëjti kishte deklaruar se kurrë s’ka qenë i dënuar.

Edhe Endrit Shala i pyetur nga gjyqtari për profesionin ishte përgjigjur: “Ministër punoj”, e i pyetur për gjendjen e tij ekonomike, Shala ishte përgjigjur se: “Mirë shyqyr prej Zotit”.

Deputeti Demiri i pyetur nga Gjykata për profesionin është deklaruar se: “Ende deputet jam”, ndërsa i bashkakuzuari me deputetin Demiri, Mersit Pangjit, me profesion shofer, deklaroi gjendjen e tij ekonomike të mesme, njëjtë sikurse deputeti dhe ish-ministri Rasim Demiri.

Gjuajtja me pushkë një pasdite me diell në bjeshkët e Posukës, deputetit Demiri “i‘a nxori në shesh dy rrena”.

Fillimisht ditën kur kishte ndodhur ngjarja deputeti Demiri nëpërmjet një video live në profilin e tij në Facebook kishte thënë se nuk ka lidhje me rastin, ndërsa është shprehur se Ramush Haradinaj e ka telefonuar pak minuta pasi janë publikuar lajmet për arrestimin e tij.

“Po iu drejtohem për t‘iu njoftuar për disa lajme të rreme për të cilat sapo u njoftova, por vet nuk arrita t`i lexoj, e i pari që më ka thirrur ishte ish-kryeministri Ramush Haradinaj që të më pyet drejtpërdrejt për disa lajme për arrestimin tim”, kishte thënë Demiri.

Rrena e deputetit ‘kauboj’

Ndërsa rrena e dytë është fakti që deputeti Rasim Demiri në një intervistë për KALLXO.com të publikuar më 20 shtator 2019, kishte deklaruar se në rast se ndaj tij ngritet aktakuzë ai “gjithsesi” që do të ofronte dorëheqje.

Por, ai nuk është dorëhequr nga pozita e deputetit për një gjë të tillë.