Foto: Kallxo.com
Ish-ministrat e Qeverisë "Thaçi 2" sot dalin në gjyq për “faljen e hidrocentraleve”
Ish ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka si dhe 14 persona zyrtarë, pritet të dalin sot para gjykatës, nën akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Aktakuza është ngritur për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut, proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’. Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shitje të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.
Sot pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestarë, ku të akuzuarit do të deklarohen rreth fajësisë.
Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Arben Gjuka, Fllanza Hoxha, Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Basha, Gelor Shala, Nasim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Krenar Bujupi dhe Lorik Fejzullahu, prokuroria i akuzon për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit Besim Beqaj kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik””.
Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK, e me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese thuhet në aktakuzë.
Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezentuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” .
Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura Fllanza Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar- menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), A. Gj., në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., në cilësinë e personit zyrtar- koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., në cilësinë e personit zyrtar – anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Fadil Citaku në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KEK-ut, Mujë Rugova dhe Agim Nika, Flamur Keqa e Izet Ibrahimi, në cilësinë e personave zyrtarë- anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe Gani Jashari në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KKDFE-së, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas prokurorisë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.