Ish-Kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së nuk i kujtoheshin ngjarjet, ndërpritet dëshmia e tij

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

Mirëpo dëshmia e Dobrunës u ndërpre. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues Charls Smith III njoftoi se dëshmia e dëshmitarit Dobruna ndërprehet pas dakordimit të palëve, pasi që i njëjti pati vështirësi në kujtesë.

“Dëshmitar, palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat e mëparshme që keni dhënë ju dhe që ato janë të plota, e që do pranohen si të tilla. E kemi marrë këtë vendim, sepse kishit disa vështirësi për t’i mbajtur mend disa prej çështjeve. Ky është vendimi i Trupit Gjykues, nuk është  e nevojshme që të jepni më dëshmi.” – tha kryetari i Trupit Gjykues Charls Smith III.

“Faleminderit, por më lejoni se një gjë të tillë plotësisht të Prokurorisë nuk e pranoj.” – tha pas Kryetarit të Trupit Gjykues dëshmitari Dobruna.

Ky gjykim po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.