Ish-Kryetari i Leposaviqit dhe 14 të akuzuarit për krim të organizuar përballë drejtësisë

 

Ish-Kryetari i Komunës së Leposaviqit bashkë me 14 të tjerë të akuzuar për krim të organizuar janë ulur sot në bankën e të akuzuarve.

Në seancën e sotme është dhënë fjala hyrëse nga palët në gjykimin kundër ish-Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe 14 të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar.

Prokurorja e rastit, Merita Bina Rugova në fjalën e saj hyrëse shprehu se qëndron pas aktakuzës dhe beson se provat e mbledhura do të mjaftojnë të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.

“Pas administrimit të provave vërtetojmë se i akuzuari Dragan Jabllanoviq duke shfrytëzuar mandatin e tij si kryetar i komunës së Leposaviqit ka vepruar në mënyrë të paskrupullt duke përmbushur të gjitha elementet e veprës penale keqpërdorim i detyrës, ku me urdhrat e tij ky grup kriminal ka vepruar për disa vite dhe së bashku kanë dëmtuar buxhetin dhe fondin e ndarë për Komunën e Leposaviqit për të përvetësuar sa më shumë para”- tha prokurorja Bina- Rugova.

Këtë e kanë kundërshtuar të akuzuarit së bashku me mbrojtësit e tyre duke arsyetuar se nuk janë plotësuar elementet e veprave penale që jua ngarkon prokuroria.

“Sipas meje, nuk janë plotësuar kushtet dhe nuk ka asnjë element të veprave që prokuroria po më akuzon”- shtoi vetë i akuzuari Dragan Jabllanoviq, ish-kryetar i Leposaviqit.

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviq, Haxhi Bejtën, Aleksander Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksander Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si Drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti ju ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.