Nexhat Demaku në gjyq - Foto: KALLXO.com

Ish-kryetari i Komunës së Drenasit nga PDK në gjyq për punësime pa konkurs publik

Ish-kryetari i Komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Nexhat Demaku, përsëri është ulur në bankën e të akuzuarit, por tash për një akuzë të re.

Demaku po akuzohet se keqpërdori pozitën e tij zyrtare, duke e punësuar Mimoza Berishën si inspektore të tregut pa shpallur fare konkurs publik.

Bashkë me ish-kryetarin i akuzuar është edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.

Edhe Tahiraj po akuzohet për punësimin e Mimoza Berishës pa konkurs publik dhe pa përgatitje adekuate shkollore si edukatore në shkollën “Ali Gashi” në Drenas.

Gjatë seancës së sotme në cilësinë e dëshmitares u dëgjua Mimoza Berisha, e cila mohoi të ketë pasur ndonjë raport përveç atij zyrtar me Nexhat Demakun.

Mimoza Berisha në dëshminë e saj tha se për pozitën e Inspektorit të tregut nuk ka pasur konkurs, mirëpo ka pasur nevojë për punëtorë.

Ajo tha se fillimisht ka filluar si praktikante në shkollën “Ali Gashi” dhe më pas e ka zëvendësuar një punëtore, e cila ka shkuar në pushimin e lehonisë. Gjatë kësaj kohe e njëjta kishte qenë në studime.

Më pas Mimoza Berisha deklaroi se ka bërë kërkesë që të transferohet në Drejtorinë e Inspeksionit nga shkolla “Ali Gashi” dhe kërkesa e saj është konfirmuar ndonëse nuk ka pasur të hapur ndonjë konkurs. Gjatë kësaj kohe e njëjta tha se ishte absolvente në Fakultetin Ekonomik

Mimoza mohoi t’i ketë kërkuar ndonjë favor ish-kryetari i Drenasit i asaj kohe, Nexhat Demaku.

Pyetje për dëshmitaren pati edhe vetë i akuzuari Nexhat Demaku.

“A jeni trajtuar barabartë me të tjerët?”, e pyeti ai dëshmitaren. Ndërsa Mimoza Berisha tha se ajo ka pasur madje edhe detyra shtesë.

Dëshmitarja pati kritika për Ramiz Lladrovcin. Ajo tha se në “qeverisjen Lladrovci” ka njerëz që punojnë në pozita menaxheriale, pa shkollim dhe akuzoi se ai ka qenë iniciator i krejt kësaj që po ndodh sot.

Ajo tha se Lladrovci nuk i ka vazhduar kontratën asaj. Ndërsa në pozitën e saj tash është punësuar dikush tjetër. Madje kritika pati edhe për konkurset e Komunës së Drenasit.

”Konkurset janë sa për sy e faqe. Njerëzit i plotësojnë testet në shpi”, tha ajo.

Në bazë të aktakuzës, Nexhat Demaku, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Drenasit e ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që në mars të vitit 2015 ka lëshuar ‘akt emërimi’ punëtores Mimoza Berisha për pozitën Inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit. Kjo ka ndodhur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit, pa konkurs publik, duke i shkaktuar dëm Komunës së Prishtinës në vlerë prej 18,309.01 euro.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, Sadik Tahiraj në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, në mars të vitit 2014 i ka lëshuar kontratë pune për mësimdhënës Mimoza Berishës, si edukatore, në shkollën e mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas.

Kjo sipas Prokurorisë ka ndodhur pa konkurs publik dhe pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit.

Kështu, Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për proceset gjyqësore ku i akuzuar ishte Nexhat Demaku.