Ilustrim

Ish-kryeshefi i AKMP-së Ilir Dushi për herë të tretë deklarohet për akatkuzën për lëshimin e banderolave të ilaçeve

Rigjykimi për “Banderolat e Ilaçeve”, kundër Ilir dushit e Bersan Kolgecit përfundoi sot.

Dushi dhe Kolgeci po akuzohen nga Prokuroria se si persona zyrtarë në AKPPM, kishin lëshuar 435,124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga. Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzoheshin për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga akuzohej për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale, i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP-Praktikën e Mirë Prodhuese.

Dushi rrëfeu për gjykatën se në kohën kur ishte nënshkruar rekomandimi për lëshimin e banderolave për subjektin “Prima Pharm” kishte qenë në pushim vjetor.

Ai për rekomandimin e lëshuar ishte njoftuar kur u arrestua tani i akuzuari Bersan Kolgeci.

“Për rekomandimin kam kuptuar ditën kur është arrestuar Bersani me datën 20.08.2013 në orën 9 të mëngjesit”, tha ai.

Dushi tregoi se pasi ishte arrestuar Bersani ndaj tij kishte filluar procedurën e pezullimit, sepse të njëjtit i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Dushi rrëfeu se nga telefonata me ushtruesin e detyrës Haki Ejupi, kur e kishte pyetur se çka të bëjë me rekomandim (për dhënien e banderolave) e zyrës ligjore, përgjigjja e Dushit kishte qenë e prerë “mos e nënshkruaj”.

Kur u pyet se pse nuk e kishte anuluar rekomandimin e nënshkruar nga ushtruesi i detyrës pasi ishte kthyer nga pushimi i akuzuari Dushi tha se ishin dy çështje.

“E para rekomandimi nuk ka qenë në dorën time deri kur është arrestuar Bersani dhe e dyta se çështja doganore kontestuese ka qenë për 2 ose 3 produkte jo për komplet listën”, u deklarua i akuzuari Ilir Dushi.

Tutje i akuzuari Dushi deklaroi se rekomandimi ishte për dhënien e  banderolave për subjektin “Prima Pharm” dhe sqaroi edhe kushtet që duhej të plotësonte ky subjekt për lëshimin e  banderolave.

“Të ketë leje importi, dokument unik doganor për hyrjen e mallit në Kosovë, kurse për prodhuesit vendor duhet të kenë certifikatën e analizës, faturat për produktet që janë prodhuar para datës 18 dhjetor nuk është kërkuar GMP, për produktet e fazës së ndërmjetme nuk e di, andaj i jam drejtuar zyrës ligjore për konsultim”, tha Dushi.

I pyetur nga gjykata se rekomandimi a është dokument ligjor, i akuzuari tha “po”. I pyetur tutje se ky dokument a ka qarkulluar në zyrën tuaj i akuzuari tha “po”.

Gjykatësi Beqir Kalludra tutje e pyeti të akuzuarin Dushi se: “Atëherë nëse ka qarkulluar a do të thotë kjo se keni qenë i njoftuar për lëshimin e këtij rekomandimi?”.

I akuzuari Dushi tha se: “Nuk kam qenë i njoftuar sepse këtë e ka nënshkruar u.d Ejupi”.

Dushi deklaroi edhe se subjekti “Prima Pharm” ka pasur të drejtë të importojë lëndën e parë për prodhime medicinale por kontesti që ka pasur me doganën mund të ketë qenë dyshim për shmangie nga tatimi.

Pasi që i akuzuari Bersan Kolgeci nuk pati pyetje për të akuzuarin Dushi, gjykata kaloi në fjalën përfundimtare.

Prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimet e kaluara dhe kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas ligjit.

Ndërsa  av. Mahmut Shala, mbrojtës i të akuzuarit Bersan Kolgeci deklaroi se gjatë këtij gjykimi, pa mëdyshje është vërtetuar se klienti im Bersan Kolgeci nuk e ka kryer veprën penale që padrejtësisht i vihet në barrë.

Sipas tij i njëjti duke u bazuar se në cilësinë e personit zyrtar në AKPM nuk e ka pasur cilësinë e personit përgjegjës për të dhënë urdhëresa e të nxjerr akte e vendime administrative por në rastin konkret ka të bëjë më kryerjen e një veprimi ligjor për të cilin ka qenë i detyruar në bazë të ligjit të veprojë.

Andaj i njëjti kërkoi nga gjykata që Bersan Kolgecin ta lirojë nga akuza.

I akuzuari Bersan Kolgeci deklaroi se nuk ka për të shtuar asgjë dhe e mbështet në tërësi fjalën e avokatit Shala.

Avokati Nikë Shala, mbrojtës i të akuzuarit Ilir Dushi,  deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimet e kaluara dhe kërkoi nga gjykata që  ndaj Ilir Dushit të marrë vendim lirues.

I akuzuari Ilir Dushi, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të avokatit Shala.

Shpallja e vendimit bëhet me datën 5 shkurt 2020 ora 9.