Ilustrim | Foto: KALLXO.com

Ish-kryeministri nuk vjen të dëshmojë në rastin ‘Veteranët’

Ish-kryeministri i Kosovës, R.H. nuk është paraqitur të hënën në gjykatën e Prishtinës për të dëshmuar në rastin e njohur si “veteranët”.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Rrustem Berisha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në seancën e sotme gjyqësore ka qenë dashur që të dëshmojë ish-kryeministri i Kosovës, R.H.

R.H. ishte propozuar për të dëshmuar për seancën e 21 shkurtit por ajo seancë ishte anuluar për sghkak të problemeve shëndetësore të gjykatëses së rastit, Nushe Kukaj Mekaj.

Gjyqtarja e ka ndaluar publikimin e dëshmive të dëshmitarëve deri në përfundim të procesit të të provuarit.

Avokati Koci tha se ish- kryeministri i Kosovës R.H, nuk ishte i gatshëm që sot të paraqitet në gjykatë pasi, sipas tij, ai e kishte planifikuar të dëshmojë seancën e kaluar.

Ndërsa, sot gjyqtarja njoftoi palët se nuk ka dëshmi se R.H. është ftuar në mënyrë të rregullt dhe se në mënyrë që të mos dështojë seanca me mungesën e tij ishte njoftuar edhe avokati Koci.

Procesi gjyqësor po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit F.R. për të vazhduar më tutje edhe me dy dëshmitarët të tjerë A.A dhe H.B, por dëshmitë e tyre me aktvendim janë ndaluar të publikohen deri në përfundimin të procesit të të provuarit.

Sipas gjyqtares Nushe Kukaj Mekaj, një vendim për mos publikimin e deklaratave të dëshmitarëve është që të mos dëmtohet procesi gjyqësor si dhe t’u pamundësohet dëshmitarëve të mos t’i lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë siç gjyqtares, dëshmitarët të mos i koordinojnë dëshmitë e tyre, ndërsa pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarëve mediat do të jenë të lejuar që të publikojnë ato dëshmi.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.