Foto: KALLXO.com

Ish-komandanti i stacionit policor në Novobërdë përsëri para Gjykatës

Ish-komandanti i stacionit policor në Novobërdë, Shukri Aliu, i cili po akuzohet për dy vepra penale, marrje ryshfeti dhe moslajmërim të veprave penale është deklaruar për fajësinë para gjykatës.

Sipas Prokurorisë, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të personit zyrtar-komandant i stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin (e veprës penale), të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu, gjithashtu akuzohet se në muajin korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti mëson se pa leje është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Tutje sipas aktakuzës, Aliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, komandant i stacionit policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i lajmëron.

Në muajin dhjetor 2018, Aliu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 6 muaj burgim me kusht dhe 1,500 euro gjobë (dënim unik), por këtë çështje Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim.

Në seancë, u dëgjua dëshmitari Deniq Bozho, i cili deklaroi se e ka vetëm një vajzë dhe ajo është martuar me lejen e tij, me Ivan Dikiqin.

“Vajzën e kemi regjistruar pas 6 muajve pasi që ajo ka lindur, unë nuk e di se sa vjeçe është ajo sot, vetëm e di se është e rritur. E di se kur është martuar ajo i ka pasur 16 vjet. Nuk e kam njoftuar askënd se po e martoj vajzën time. Shukri Aliun nuk e njoh dhe nuk e kam takuar asnjëherë më parë”, tha dëshmitari Deniq Bozho.

I pyetur nga prokurori Arben Kadriu, dëshmitari tha se ai e ka lejuar të martohet vajzën.

“Në bazë të certifikatës së lindjes e kam ditur se vajza ime i ka 16 vjet edhe pse e kam shkruar me 6 muaj vonesë në kohën kur ka lindur”, tha tutje dëshmitari.

Ndërsa, gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

“Kam problem me memorien time pasi i kam bërë disa kontrolle mjekësore dhe kohë pas kohe më paraqitet harresa, andaj nuk dua ta rëndoj pozitën time”, tha shkurt i akuzuari Aliu.

Seanca e sotme u shty për në muajin dhjetor.

Kujtojmë se më 6 mars 2018, ndaj të pandehurit Ivan Dikiq, për dy vepra penale – armëmbajtje pa leje dhe importi-eksporti i armëve dhe materialeve plasëse, ishte shqiptuar dënim unik (pasi kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë), prej një viti burgim me kusht.