Ish-inkasanti i KEDS-it ballafaqohet në gjykatë me tre dëshmitarë

 

Arben Berisha ish-inkasanti i KEDS-it është ballafaquar sot në Gjykatën e Pejës me akuzën e Prokurorisë  për dy vepra penale.

Arben Berisha akuzohet se në periudhën kohore prej 19.12.2017 deri me 02.03.2018 në cilësinë e inkasantit të KEDS-it, ka marr të holla nga konsumatorët e ndryshëm, duke mos i dorëzuar ato para në zyrën e KEDS-it, por duke i përvetësuar për vete.

Aktakuza ngarkon Berishën po ashtu, se paraqitet si punëtor i KEDS të konsumatorët përkundër që të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës duke përvetësuar të holla për vete nga konsumatorët.

Në seancën e sotme u dëgjuan 3 të dëmtuar njëkohësisht dëshmitarë në këtë çështje penale.

Dëshmitari Egzon Gashi tha se nuk kërkon dëmshpërblim nga i akuzuari.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Haxhi Sinanaj, dëshmitari tha se të akuzuarin më parë e ka njohur vetëm si punëtor të KEDS dhe se atij i ka bërë dy herë pagesë kesh, në emër të shpenzimit të rrymës, por që shuma e të hollave nuk i kujtohej.

Gashi tha se i akuzuari nuk i ka dhënë dëftesë për pagesën, e që kur e ka marr faturën e ka vërejtur se nuk ishte paguar shuma, dhe pastaj është obliguar të paguaj përsëri në mënyre zyrtare energjinë e shpenzuar.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Arben Berisha, avokatit Selim Lajqi se: “A ju kujtohet vendi ku ju ka marr të hollat?”.

Dëshmitari u përgjigj se: “Po në zyrë të punës te unë, të qendra zejtare në Pejë”.

Gashi shtoi se ai ka shkruar një letër drejtuar KEDS, e që sipas tij letra e dytë ka qenë tentim i tij që mos me largu nga puna të akuzuarin: “letra ka qenë e përpiluar me kërkesë të Arbenit”.

Sipas tij ai kishte kërkuar nga i akuzuari Berisha një shërbim lidhur me një defekt për energjinë elektrike.

Për këtë u ballafaqua me pyetje nga ana e të akuzuarit.

“A është e vërtetë që paret mi ke pru te Ura e Gurit e edhe bukën ma ki hjek”, tha Berisha.

“Po e vërtetë“, u kundërpërgjigj dëshmitari Gashi.

Dëshmitari Shaban Seferaj para trupit gjykues tha se i akuzuari në fshatin e tij ka bërë rishikim e energjisë elektrike si person i KEDS-it,  dhe se atij i ka bërë pagesë kesh në shumë prej 70 euro, ku sipas tij për këtë pagesë nuk ka marrë dëftesë.

“Unë kam shkuar në KEDS që të kërkoj faturën, por ata me thanë se Arben Berisha nuk është tani punëtor i KEDS” , tha Seferaj.

Ai tha se i akuzuari para seancës së shqyrtimit fillestar ja ka kthyer të hollat.

Dëshmi para trupit gjykues dha edhe Qamil Kadrijaj.

Dëshmitari Kadrijaj tha se në kohën kur i akuzuari ka qenë inkasant në fshatin e tij, i ka dhënë një shumë të të hollave dhe ato nuk i janë kthyer, por sipas tij para rastit në fjalë ai i kishte dhënë të holla hua të akuzuarit, e që ky i fundit ja kishte kthyer ato.

Dëshmitari shtoi se të akuzuarit asnjëherë nuk i ka dhënë të holla në emër të shpenzimit të energjisë elektrike. Sipas  tij të hollat prej 50 euro kanë qenë për premtimin se do të i vendos një aparat për zvogëlim të shpenzimit të energjisë elektrike.

Seanca e radhës mbahet me 9 janar 2020.