Ish-gjykatësja Safete Tolaj, djali i saj dhe polici i akuzuar ballafaqohen me dëshmitarë para Gjykatës

Rigjykimit ndaj ish gjyqtares Safete Tolaj e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje apo asgjësim i vulave zyrtare, djalit të saj Fisnik Tolaj, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit dhe falsifikim të dokumenteve dhe policit Granit Shehaj i cili akuzohet për ushtrim ndikimi në ndihmë ka vazhduar të mërkurën në Gjykatën e Ferizajt.

Në seancën e kaluar Fisnik Tolaj e ka pranuar fajin për shumicën e veprave penale, Safete Tolaj e Granit Shehaj nuk e pranuan fajësinë.

Në seancën e së mërkurës të mbajtur nga kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi i dhanë dëshminë e tyre tre dëshmitarë: Dardan Haskaj, Gjyle Shala dhe Haki Ukaj.

Në pyetjet e prokurorit të rastit Rasim Maloku dëshmitari Dardan Haskaj deklaroi: “Unë e kam njohur Fisnik Tolajn që nga koha e studimeve dhe jetojmë afër në fshat. Visar Qekajn e kam bashkëfshatar, Visari me fisnikun kanë biseduar diçka që Fisi të ja kryej një punë këtij të fundit. Por, nuk e di çka sepse jam ngritur dhe kam ecur. Unë e kam luajtur rolin e ndërmjetësuesit sepse me që Visar Qekaj më thënë se Fisi nuk ia kishte kryer një punë, se për çka ka qenë fjala tani nuk më kujtohet pasi që ka kaluar një kohë e gjatë”.

Prokurori e ballafaqoi dëshmitarin Haskaj me një pjesë të deklaratës së tij dhënë në policinë hetuese në Pejë.

“Lidhur me rastin konkret për të cilin jam takuar deklaroj se Visar Qekaj të cilin e kam bashkëfshatar diku në fillim të vitit të 2016 më ka treguar se vëllai i tij Luan Qekaj kishte vendosur të ndahet me bashkëshorten e tij dhe më ka pyetur se a e njoh dikë që mundet me e përshpejtuar lëndën në Gjykatë. Unë i kam treguar se e njoh djalin e gjyqtares Fisnikun dhe e kam takuar Visarin dhe Fisnikun në lokalin kafeteria ‘Lumi’ në qendër të Deçanit. Ata kanë biseduar në mes vete Visari e ka njoftuar për hallin që e ka për përshpejtimin e lëndës se shkurorëzimit për vëllain e tij dhe Fisniku i ka thënë se kjo punë kryhet, por duhet me pagu pare, fillimisht Fisi ka kërkuar 1000 euro, por pasi që është bashkëfshatar imi, i ka thënë se e kryej për 800 euro dhe Visari është pajtuar por ka thënë se pa u kry puna, nuk t`i jap paret”.

Dëshmitari Haskaj deklaroi se “Unë kështu e kam thënë dhe kështu ka qenë”.

Për dëshmitaren Gjyle Shala nuk kishte shumë pyetje, vetëm nga avokati i Safete Tolajt, Kujtim Kërveshi u pyet lidhur me karakterin e ish gjyqtares dhe dëshmitarja u përgjigj se “Ajo ishte nëna e gjykatës dhe të gjithë kishin mendim të mirë për të”.

Ndërsa sa i përket banesës të cilën prokuroria kërkon konfiskim u dëgjua sot dëshmitari Haki Ukaj i cili njëherit është djali i hallës se Blerina Vishajt (bashkëshortja e Fisnik Tolajt), dhe i njëjti gjatë dëshmisë së tij në gjykatë tha se “Jetoj jashtë vendit, banesa është e imja. Unë Blerinën e kam autorizuar t`i mbaj çelësat derisa unë nuk isha në Kosovë dhe unë e kam paguar atë banesë me një veturë dhe 20 mijë euro para kesh”.

Prokurori i rastit Rasim Maloku e ballafaqon me një kontratë dhe disa fatura të cilat tregojë se Blerina Vishaj ka paguar këste mujore për pagesën e kësaj banese, këto dokumente u kundërshtuan ashpër nga mbrojtja.

Seanca e radhës është paraparë të mbahet me datë 19 dhe 20 nëntor.

Gjykata Themelore në Ferizaj më 13 korrik 2018 e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim duke konsideruar se as dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj nuk ishte i lartë.

Pastaj Gjykata e Apelit vendosi që lëndën ta kthej në rigjykim.

 

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me gjykimin e ish gjykatëses Safete Tolaj, djalit të saj Fisnik Tolaj – LINK