Arkiv - Gjykimi i Kolë Pukës | Foto: KALLXO.com

Ish-gjykatësi Kolë Puka kërkon avokat nga shteti në rigjykimin ndaj tij

 

Procesi i rigjykimi ndaj ish-gjyqtari Kolë Puka, dhe babai i tij Zef Puka, ka vazhduar edhe sot. Sipas dosjes së Prokurorisë i akuzuari Kolë Puka është marrë me aktivitet Kriminal në periudhën nga viti 2002-2009 duke keqpërdorur skajshmërisht pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Klinë. Ai akuzohet se  gjatë aktivitetit Kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe.

Ndërsa babai i ti, Zef Puka, akuzohet për bashkëpunim në kryerjen e veprave kriminale, pasi që për të humbur gjurmë më tepër lidhur me patundshmërinë, shtëpi dykatëshe me truall 500m2 në fshatin Qagllavicë komuna e Graçanicës, në vlerë prej 35.000.00 euro, këtë patundshmëri Kolë Puka e ka evidentuar në emër të babait të tij Zef Puka, gjoja se ai është blerës edhe pse i njëjti nuk e ka blerë pasi që ai nuk ka pasur mundësi materiale.

Në këtë seancë ishte i paraparë dëgjimi i dëshmitarëve: Alban Musliu, Ljubomir Zhiviç, Sinisa Zhiviç, Durim Abazaj, Jeton Abazaj dhe Kolë Duhanaj, por gjykata nuk kishte dëshmi se janë ftuar në mënyrë të rregullt. Vetëm dëshmitari Alban Musliu ishte prezent.

Sipas Aktakuzës i pandehuri Kolë Puka duke ditur se pasuria e përfituar ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim që ta fsheh, ta konvertoi, ta transferoj apo të maskoi natyrën e burimit, me këto mjete financiare ka blerë patundshmëri, dhe atë : me datën 03.04.2008 në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë. Një shtëpi dykatëshe me truall 500m2 në fshatin Qagllavicë komuna e Graçanicës, në vlerë prej 35,000.00 euro. Sipas kontratës Vr.Nr.2463/208 e datës 03.04.2008 e vërtetuar pranë gjykatës Komunale në Prishtinë, për të humbur gjurmë më tepër lidhur me këtë patundshmëri në bashkëpunim me prindin- Babain e tij Zef Puka këtë patundshmëri e ka evidentuar në emër të babait të tij Zef Puka, gjoja se ai është blerës edhe pse i njëjti faktikisht nuk e ka blerë pasi që ai nuk ka pasur mundësi materiale.

Lidhur me këtë nga prokuroria janë ngarkuar me veprën penale në bashkëkryerje të shpëlarjes së parave.

Me tutje në aktakuzë precizohet se i pandehuri Kolë Puka me qëllim të fshehjes së parasë së përfituar nga aktiviteti kriminal, me datën 08.06.2007, ka blerë një banesë në sipërfaqe prej 26.07 m2 në Pejë, Rr. R.Buriqi, nr.100 në vendin e quajtur “Kakariq”.

Të njëjtën banesë me datë 09.10.2007 ja ka shitur Jeton Abazit në shumën prej 8,000 euro sipas kontratës V.nr.432/2007 datë 09.10.2007 e vërtetuar në Gjykatën Komunale në Pejë.

Poashtu me datë 20.02.2007 Kolë Puka ka blerë patundshmërinë nga Bora Abazi, sipas kontratës Vr.nr.432/2007 e vërtetuar pranë Gjykatës Komunale në Klinë, në vlerë prej 38,000.00 euro (8,000.00 euro është llogaritur banesa që  ia ka shitur Jeton Abazit, ndërsa 30,000.00 euro i ka dhënë të holla). Të dhënat e patundshmërisë shihen në fletën poseduese nr.71/3, vendi i quajtur breg me kulturë kullosë e klasit të 4 në sipërfaqe prej 0.49.61 ha. Si dhe ngastrën kadastrale nr.70/3, vendi i quajtur breg me kulturë arë e klasit të 5 në sipërfaqe të përgjithshme prej 1.56.30 ha. Gjithashtu i njëjti duke dashur të maskoj burimin e mjeteve financiare të përfituara nga aktivitetet e tija kriminale të njëjtën patundshmëri me specifikat e lartshënuara me datë 17.04.2009 përmes kontratës Vr.Nr.1050/2009 të vërtetuar në Gjykatën Themelore në Klinë, ia ka shitur Kolë(Gegë) Duhanajt ne vlerë prej 30,000.00 euro.

Prokurorja e prokurorisë speciale Habibe Salihu deklaroi se “Sa i përket aktakuzës PPS.15/2013 të datës 04.08.2014, në pikën e parë të kësaj aktakuzë, gjegjësisht të dispozitivit të aktakuzës, poashtu edhe në pikën dy të dispozitivit të kësaj aktakuze, është përcaktuar në mënyrë të qartë vepra penale për të cilën është ushtruar kjo aktakuzë, pra shpëlarja e parave ndërkaq në asnjë prej këtyre pikave nuk përmendet keqpërdorimi i pozitës zyrtare, dhe lidhur me këto vepra penale siç është përshkruar me këto dy pika të aktakuzës, kjo çështje është konfirmuar edhe nga gjykata e Apelit dhe tani në seanca gjyqësore nuk është kontestues përcaktimi i veprave”.

Sa i përket të akuzuarit Zef Puka, Av. Xhafer Maloku ka deklaruar se me datë 27.10.2019 iu ka drejtuar gjykatës ku ka cekur se i mbrojturi i tij Zef Puka nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, është në moshë të shtyer, përkatësisht është 82 vjeçar, dhe ka kërkuar nga gjykata ekzaminimin shëndetësor për të akuzuarin Zef Puka.

Më pas gjykata kishte dërguar kërkesë policisë së Klinës, të cilët dhe verifikuan gjendjen e të akuzuarit dhe u pajisen me raport mjekësor, të cilin më pas ia dorëzuan gjykatës si dëshmi.

Megjithatë në seancën e sotme me kërkesë të prokurores nga gjykata u caktua ekzaminimi mjekësor për të njëjtin.

E sa i përket të akuzuarit ish-gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Klinë, Kolë Puka, pas kërkesës së tij për caktim të mbrojtësit nga gjykata, u theksua që lidhur me këtë kërkesë do të vendos kryetarja e gjykatës për shkak se për veprën penale për të cilën akuzohet i njëjti, dhe në fazën që është kjo procedurë nuk është obligativ sigurimi i mbrojtësit, andaj bie në kompetencë të kryetares së gjykatës të vendos lidhur me këtë kërkesë.