Gjykimi ndaj ish Drejtorit të Urbanizmit dhe inspektorëve të Gjilanit

Ish drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu deklarohet rreth fajësisë

Merita Cana- Shabani, Shkëndije Mahmuti- Hajdini, Baki Azemi dhe ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit.

Ata po akuzohen se e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos i rrënuar disa objekte pa leje.

Ky gjykim është urdhëruar nga Gjykata e Apelit pasi që Gjykata e Gjilanit i kishte liruar nga akuza të akuzuarit tri herë radhazi.

Në seancën e sotme pas propozimit të prokurorit Isuf Sadiku, u konsideruan të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve të cilët ishin dëgjuar në shqyrtimet e kaluara. Gjithashtu u konsideruan të lexuara edhe të gjitha provat tjera të propozuara në shqyrtimet e më parshme.

Tutje, i akuzuari Baki Azemi tha se nuk e pranon fajësinë pasi nuk e ndien veten fajtorë.

“Unë qëndroj pranë gjitha deklaratave që i kam thënë deri më sot, nuk e ndiej vetën fajtorë në asnjë pikë të aktakuzes. Ne si inspektor i kemi respektuar të gjitha udhëzimet administrative lidhur me përgjegjësitë që ne i kemi pasur. Gjithashtu ne kemi respektuar edhe vendimin e drejtorit i cili ka qenë mbi rregullimin e brendshëm të punëve tona si inspektor. Vendimi me të cilin jemi obliguar të punojmë e të cilin e ka nxjerrur drejtori Valon Shefkiu, sipas mendimit tim ka qenë i kundërligjshëm. Sipas këtij vendimi të gjitha vendimet e më tejme dhe procedurat deri në rrënim (të objekteve), i kanë takuar zyres juridike ku aty ka qenë edhe ekzekutuesi”, tha i akuzuari Baki Azemi.

Valon Shefkiu, i cili në kohën e ngritjes së aktakuzes ka qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, gjithashtu tha se nuk e pranon fajësinë lidhur me atë që e ngarkon Prokuroria.

“Qëndroj pranë deklaratave që i kam dhënë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore. Kur ka filluar ndërtimi i objektit për të cilin akuzohem, unë kam qenë shef Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit. Vendimet për ndërprerje të punimeve i kemi nxjerrur ne si sektor i ndërtimit, kurse pas marrjes së vendimeve procedura ka vazhduar në zyrën juridike. Ne kemi pas përgjegjësi deri në nxjerrjen e vendimeve për ndërprerje të punimeve. Kompetencë për rrënimin e objekteve pa leje ka pasur ekzekutuesi, i cili ishte pranuar në atë kohë por që nuk më kujtohet sakt”, tha i akuzuari Valon Shefkiu.

Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 19 prill, ku do të japin mbrojtjen e tyre dy të akuzuarat Merita Cana- Shabani dhe Shkëndije Mahmuti- Hajdini.

Sipas Prokurorisë, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014, në Gjilan nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK