Eset Berisha - Ish Drejtor AACK

Ish-drejtori i shkarkuar i Autoritetit të Aviacionit Civil e paditë Qeverinë

Eset Berisha, ish-drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, ka paditur Qeverinë e Kosovës lidhur me vendimin për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të AAC-së.

Berisha pretendon se shkarkimi i tij u bë me një vendimi të pabazuar dhe të kundërligjshëm.

Në seancën e sotme paditësi Eset Berisha ka kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që ta aprovojë kërkesëpadinë si të bazuar, ta anulojë vendimin e Qeverisë dhe ta obligojë Qeverinë që ta kthejë të njëjtin në pozitën e drejtorit të përgjithshëm.

Berisha përmes padisë ka kërkuar edhe kompensimin e të gjitha pagave që nga dita e shkarkimit e deri në kthimin e tij në vendin e punës e po ashtu ai ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës.

Para Gjykatës, Berisha ka deklaruar se, vendimi i të paditurës për shkarkimin e paditësit është nxjerrë me shkelje të ligjit material, shkelje të dispozitave procedurale, me të cilën rregullohet procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe se e paditura ka shkelur të drejtat themelore e njerëzore, të garantuara me Kushtetutë si dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat parashohin njohje të barabartë të të drejtave në çdo procedurë zyrtare.

Ndërsa e paditura Qeveria e Kosovës, me avokaten Fitore Gajtani i kundërshtuan në tërësi pretendimet e paditësit, të cilat i konsideruan si të pabazuara në ligj dhe ta paprovuar me prova.

Avokatja Fitore Gajtani deklaroi se paditësi Eset Berisha është shkarkuar nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të AAC për shkak të shkeljeve të detyrave profesionale dhe se shkarkimi i një të emëruari politik për shkak të shkeljes së detyrave profesionale, sipas gjykimit të autoritetit që e emëron nuk është shkelje e të drejtave të njeriut siç pretendon paditësi e as shkelje e të drejtës në punë.

Për të gjitha përgjigjet kundrejt pretendimeve të paditurit, përfaqësuesja ligjore e Qeverisë, Fitore Gajtani tha se ka paraqitur prova para Gjykatës, ku në ato prova janë detajuar hollësisht veprimet e paditësit që sipas saj janë të kundërligjshme, ajo gjithashtu kundërshtoi propozimin e paditësit për ekspertizë financiare me arsyetimin se e paditura nuk i ka shkaktuar asnjë dëm, qoftë në pagë ose mënyrë tjetër.

Gajtani ka kërkuar nga Gjykata që të refuzojë në tërësi kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar.

Më pas Gjykata mori aktvendim që të aprovohen kërkesat e palëve për administrimin e provave dhe gjithashtu aprovoi kërkesën e paditësit për marrjen e provës-ekspertizës financiare.

Sipas padisë, paditësi Eset Berisha ka qenë drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) i emëruar me vendim të datës 11 janar 2019, të Qeverisë së Kosovës dhe atë me mandat 5 vjeçar.

Qeveria e Kosovës, tani më e paditura më 12 maj 2020, ka nxjerrë vendim me të cilin ka shkarkuar paditësin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së dhe në pikën 2 të të njëjtit vendim ka emëruar një ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të AAC-së.

I pakënaqur me vendimin e kontestuar, paditësi ka paraqitur padi për konflikt administrativ, me kërkesë anulimin dhe shpalljen e pavlefshme të këtij vendimi.

Paditësi ka ushtruar detyrën e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së nga 11 janari 2019 deri në shkarkimin e tij me vendimin e kontestuar të datës 12 maj 2020, të cilin paditësi e konsideron të jashtëligjshëm për këto arsye, shkeljet e normave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat garantojnë mbrojtje ligjore në procedurë zyrtare, mangësitë në strukturën e aktit administrativ, zbatimi i gabuar i së drejtës materiale dhe konstatimi i gabuar i gjendjes faktike.

Këtë padi, paditësi Eset Berisha e ka dorëzuar pranë Gjykatës së Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, duke marrë parasysh se Departamenti për Çështje Administrative pranë Gjykatës së Prishtinës, është shpallur jokompetent për padinë e paditësit, e njëjta është dorëzuar në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Gjykate, prandaj paditësi me qëllim të plotësimit të padisë, marrëdhënia e punës, thuhet se ka paraqitur precizim të padisë.

Me këtë padi, paditësi kërkon nga Gjykata që të anulohet vendimi i datës 12 maj 2020 i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të shpallen të pavlefshme të gjitha vendimet, të cilat kanë rrjedhur si pasojë e zbatimit të këtij vendimi.

Sipas padisë, ai kërkon që të kthehet në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së sipas vendimit të datës 11 janar 2019, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të gjitha të drejtat dhe privilegjet, po ashtu që të njëjtit t’i kompensohen të gjitha pagat dhe përfitimet e tjera të humbura të shkaktuara me zbatimin e vendimit të datës 12 maj 2020, duke e përllogaritur edhe normën ligjore të interesit, si dhe shpenzimet e procedurës gjyqësore sipas regjistrit të Gjykatës.

Qeveria me Limakun vazhdojnë Aksham Pazarin

Berisha: Nuk besojmë se udhëzimi administrativ ia vazhdon kontratën ‘EuroLab’-it

 

Pas shkarkimit, reagon Eset Berisha