Ish-drejtori i Ramadan Mujës kërkon kohë nga Gjykata për ta negociuar pranimin e fajësisë

Hasan Hasani, i cili gjatë viteve 2015 – 2016 ka qenë Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizreni, ka dalë sot para gjykatës për t`u përballur me akuzat për nënshkrim të kontratave pa tender.

Hasani erdhi dhe doli nga salla e gjykimit pa folur asnjë fjalë të vetme pasi që për të foli mbrojtësi i tij avokati Hazër Susuri.

Me të filluar seanca ende pa e lexuar prokurori aktakuzën, avokati Hazër Susuri tha se duke e parë aktakuzën dhe çështjen për të cilën akuzohet Hasani, vlerat e pagesave të lejuara pa tender në përgjithësi janë të ulëta që nuk e tejkalojnë shumën mbi 5000 apo 6000 Euro.

Duke u nisur nga ky fakt, mbrojtësi Hazër Susuri, theksoi se i akuzuari Hasan Hasani do të negociojë me prokurorinë një marrëveshje për pranim të fajësisë.

Gjykimi ndaj Hasan Hasanit – 24.09.2019

Prokurori Mehdi Sefa nuk e kundërshtoi këtë propozim të mbrojtjes dhe gjykatësi Artan Sejrani caktoi datën 9 tetor kur gjykatës duhet t`i sillet marrëveshja në formë të shkruar, pas së cilës gjykata mund të vendos për dënimin.

Brenda 10 ditëve të fundit edhe dy ish- drejtorë të qeverisjes së Ramadan Mujës në Prizren janë paraqitur para gjykate për t`u përballur me akuza për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ertan Simitçi që në qeverisjen ‘Muja 2’ ka qenë Drejtor i Financave,  i kishte mohuar akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Drejtori i dorëhequr në Prizren del para gjyqit

Ndërsa një tjetër drejtor i ish-kryetarit Ramadan Muja, Ilir Baldedaj që tashmë është kandidat për deputet nga lista e koalicionit AAK-PSD, ditën e djeshme nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Kandidati i akuzuar nga AAK-PSD nuk paraqitet në Gjykatë

Hasani në të kaluarën ka mbajtur disa pozita të rëndësishme në degën e PDK-së në Prizren.

Ndërsa në gusht të vitit 2016 ishte emëruar edhe zëvendësministër për Punë dhe Mirëqenie Sociale, kur u largua nga detyra e Drejtorit në Komunën e Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se Hasan Hasani në cilësi të Drejtorit të Shërbimeve Publike pa procedurë të tenderimit ka lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Për periudhën Janar – dhjetor të vitit 2015 ka lidhur kontratë me TV Opinion në vlerë totale prej 3,600.00 Euro, ndërsa për periudhën Maj – Dhjetor të vitit 2016 ka lidhur kontratë po me të njëjtin Televizion në vlerë totale prej 1,600.00 Euro.

Ndërsa me Televizion ‘Besa’, Hasani sipas aktakuzës ka lidhur kontratë për periudhën kohore Prill – dhjetor të vitit 2016 në vlerë totale prej 1,800.00 Euro.

Në tërësi shuma për të cilat Hasani akuzohet se ka lidhur kontrata pa tenderim kap lartësinë prej 6,600.00 Eurosh. Sipas aktakuzës i njëjti ka vepruar duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për persona tjerë.

Edhe një drejtor tjetër nga qeverisja e Ramadan Mujës në Prizren po akuzohet për të njëjtat veprime, për lidhjen e kontratave pa tender me televizionet lokale.

Nijazi Kryeziu po akuzohet për kohën sa kishte qenë në krye të Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren, ndërsa i njëjti është pjesë e aktakuzës në rastin “Pronto”.

Aktakuzë ndaj ish- drejtorit të Urbanizmit në Prizren

Vetë ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është pjesë e njërit prej proceseve më të gjatë gjyqësore në Kosovë në lidhje me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.