Foto: KALLXO.com

Ish-drejtori i Burgut: Vendimi për ta dërguar Lushtakun në Burgun e Mitrovicës ishte politik

Në procesin gjyqësor “Arratisja nga QKUK-ja”, ku të akuzuar janë Sami Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Ismet Haxha, të akuzuarit kanë filluar të japin mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Emrush Thaçi në kohën kur Prokuroria pretendon se është kryer vepra penale ka qenë drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, Thaçi e kontestoi aktakuzën duke thënë se prokurori Cezary Michalczuk nuk ka pasur kompetencë për nxjerrje të vendimeve për të zhvilluar hetimet.

E lidhur me arratisjen e Lushtakut, Haxhës dhe Jasharit nga QKUK-ja, ish-drejtori i Qendrës së Paraburgimit tha se ishte në një takim dhe se gjatë atij takimi kishte pranuar një telefonatë. “Më njoftuan për arratisjen dhe kam marrë masat për informimin e Drejtorisë së Sigurisë, kemi komunikuar me Policinë dhe më vonë jemi thirrur nga prokurori Jonathan Ratel, për një takim”, tha ai.

“Në atë takim ka marrë pjesë edhe  ministri Hajredin Kuçi, zëvendësdrejtori Sokol Zogaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit Shemsi Hajrizi,  zëvendësdrejtori i Policisë  Naim Rexha”, shtoi i akuzuari Thaçi.

Sipas të akuzuarit, takimin e kishte udhëhequr prokurori i EULEX-it Jonathan Ratel.

“Aty na është thënë nga prokurori Ratel se nuk ka arratisje. Unë jam në lidhje me të paraburgosurit, ata kanë  shfaqur pakënaqësi për transferimin e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë”, shtoi i akuzuari.

Më tej, Thaçi tha se prokurori u kishte thënë se nga ai moment situatën e ka në dorë ai dhe “na është kërkuar të gjendemi  në pjesën e Spitalit, duke filluar nga ministri Kuçi dhe Qendrën Korrektuese”. “Pa lejen e prokurorit nuk kemi vepru”, shtoi ai.

Sipas të akuzuarit Thaçi, ky takim kishte për qëllim  zgjidhjen e problemit.

E në lidhje me pikën e akuzës që e ngarkon atë se nuk e kishte zbatuar vendimin e gjyqtarit Silici për transferimin e të paraburgosurve në Burgun e Mitrovicës ai tha se arsyeja është publike.

“Ka qenë vendim politik për ta provoku situatën në Kosovë”, tha i akuzuari Emrush Thaçi.

Ndërsa kur u pyet nëse kishte vepruar diçka për ta ndryshuar vendimin e gjykatësit Silici ai u përgjigj: “Për ta ndryshuar vendimin e gjykatës është dashur me pasë  emrin Marko Hokanin”.

Emrush Thaçi akuzohet nga Prokuroria për veprën penale keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, më 20 maj 2014, duke qenë në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën duke shkelur me qëllim dhe vetëdije  ligjin i cili ndërlidhet me detyrat e tij dhe qëllimisht nuk ka zbatuar detyrat e tij që janë kërkuar me ligj dhe në këtë mënyrë u ka mundësuar të akuzuarve Lushtaku, Jashari dhe Haxha arratisjen nga QKUK-ja.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Thaçi këtë e ka bërë me qëllim  të përfitimit për vete duke u ngritur ne detyrë si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Thaçi u kishte mundësuar tre të akuzuarve masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë në Qendrën Korrektuese gjë që iu ka mundësuar atyre të arratisen nga QKUK dhe duke e detyruar gjyqtarin ta ndryshojë vendimin për transferimin e të paraburgosurve në Qendrën e Mitrovicës.