Ish-drejtori i Bankës NLB zgjedh heshtjen në Gjykatë

 

Ismajl Rudari ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, në akuzat e Prokurorisw për përvetësim në detyrë në shumën prej 305,420.71 euro.

I akuzuari Rudari, gjatë seancës së shqyrtimit të sotëm gjyqësor, shfrytëzoi të drejtën e mbrojtjes në heshtje, meqenëse sipas tij ai ishte deklaruar edhe në seancat e mëparshme duke mbetur në tërësi pranë thënieve nga seancat e kaluara.

Duhet theksuar se Prokurori i shtetit gjatë fjalës përfundimtare deklaroi se bën rikualifikimin e veprës penale nga përvetësimi në detyrë në veprën penale lidhja e kontratës së dëmshme, pasi që sipas prokurorit Arian Gashi, në rastin konkret në veprimet e të pandehurit Ismajl Rudari, formohen të gjitha elementet e veprës penale të kësaj vepre të rikualifikuar.

Sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën kohore prej 01.02.2003 në vazhdimësi deri me datën 21.11.2005, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i ekspoziturës së bankës NLB Sh.a. – Prishtinë, (ish Kasabanka KSB) Dega në Lipjan, Ismajl Rudari ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Rudari ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me kompanitë private NTPSHP “Beargo” me seli në Pejë, në vlerë prej 159,193,83 euro, NTP “Irsija-Cos”, me seli në Lipjan, në vlerë prej 8,169.04 euro, NB”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15,692.85 euro, NT “Xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e madhe-K Fushë Kosovë, në vlerë prej 91,013.69 euro, NTP “Altini Comerc” me seli në Lipjan, në shumë prej 30,747.15 euro dhe NTP “Elektro Vali” me seli në Lipjan, në vlerë prej 6,604.16 euro, me ç’rast të dëmtuarës NLB Bank Sh.a. – Prishtinë, i ka shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro.

Avokati kishte rast vdekje, dështon seanca ndaj ish-drejtorit të NLB-së Ismajl Rudari