Foto: Kallxo.com

Ish-drejtori i Arsimit në gjyq për kulmin dhe aneksin për kaldajat e shkollës

Ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, është ulur në bankën e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria po akuzon Sadik Tahirajn se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, i kishte kaluar kompetencat e tij duke i mundësuar vetës ose organizatave të biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K, me qëllim të përfitimit të çfarë do dobie për veti ose për organizatën e biznesit.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga ish Drejtorit i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili e kishte mbajtur këtë detyrë nga janari i vitit 2014 deri në shkurt 2017.

Tahiraj u deklarua i pafajshëm për akuzat për të cilat e ngarkon Prokuroria.

“Unë kam qenë i njoftum nga drejtori i shkollës, Riza Hajdari, se më 12.1.2016, era e fortë ka dëmtuar kulmin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc. Unë si drejtor i DKA-së, menjëherë kam dalë në vend të ngjarjes në shkollë, e kam pa gjendjen e kulmit dhe në atë moment kam njoftu menjëherë Komisionin komunal të Emergjencave për të dalë në teren dhe për ta shikuar edhe vet gjendjen në të cilën ishte vet shkolla”, tha ai.

Tahiraj përmendi se në teren kishin dalë Halim Vrellaku, Vehbi Jashari, dhe me sa i kujtohej Vegim Dobra.

I akuzuari Tahiraj shtoi se Drejtoria e Emergjencave ka për kompetencë, për aq sa ai kishte njohuri, të menaxhojë në rastet si në objektet publike dhe ato private dhe shtoi se në atë rast kishte pasur obligim të menaxhojë edhe me rastin e kulmit të dëmtuar të shkollës në Dorbroshevc.

Ai tregoi se në raste të tilla emergjente ndahet buxheti i  veçantë.

Sadik Tahiraj shtoi se pas dy apo 3 di te ishte njoftuar nga drejtori i shkollës me telefon se disa bashkëfshatarë kryesisht të lagjes se tij kishin shprehur vullnet që ta riparojnë kulmin e shkollës. Në krye të këtyre të banorëve, sipas Tahirajt, kishte qenë edhe një kushëri i drejtorit Isuf Hajdari.

“Unë i kam thënë në telefon se ky rast është rast i emergjencës dhe nuk është në përgjegjësinë time ta menaxhoj, duke ia kujtuar edhe një rast tjetër dy vite me herët në një shkollë tjetër”, shtoi Tahiraj.

Ai tha se gjatë komunikimit me kolegët e tij dhe me drejtorin Isuf Hajdari kishte treguar se kjo çështje nuk ishte në përgjegjësinë e tij, por të Drejtorisë së Emergjencës.

Ndërsa sa i përket shkollës “Rasim Kiçina”, në Drenas, i akuzuari theksoi se si Drejtor i Arsimit nuk i kishte menaxhuar asnjëherë investimet kapitale por kishte bërë vetëm planifikim në këtë rast. Ai tha se këtë rast e kishte menaxhuar Drejtoria komunale e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor.

Duke folur për rastin e kaldajave të kësaj shkolle, Tahiraj tha se pasi Drejtoria e Urbanizimit, kishte bërë projektin e instalimit të nxemjes qendrore ata nuk e kishin planifikuar si duhet vendosjen e kaldajve duke menduar që ato të vendosen në bodrum të shkollës. Por doli që bodrumi të mos kishte hapësirë të mjaftueshme për vendosjen e kaldajave kështu që u desh të dnërtohej një aneks [ër vemdosjen e tyre.

Tutje ai shtoi se kishte qenë shumë i stresuar.

“Ne këtë shkollë kishte filluar mësimi me vonesë më shumë se një muaj për shkak të instalimit të nxemjes qendrore dhe ishim prapë të rrezikuar të ndërpritet mësimi për shkak të mosplanifikimit si duhet nga Drejtoria përkatëse për vendosjen e këtyre 2 kaldajave për arsye se obligohemi ligjërisht që nga 15 tetorit te kemi nxemje”, tha më tutje.

Në fund Tahiraj tha se komuna e Drenasit nuk është dëmtuar me ndërtimin e këtij aneksi të shkollës.

“Kjo depo është mbikëqyrur nga Organi Mbikëqyrës dhe është bërë dhe pranimi teknik i kësaj depoje, nga anëtaret e komisionit përkatës”, tha ai.

“Unë besoj me sinqeritetin më të plote se asnjëherë jo vetëm si drejtor i Arsimit, por qe 20 vite përvoje as si zyrtar nuk kam bërë shkelje ligjore për të dëmtuar Komunën apo ndonjë person fizik”, tha Sadik Tahiraj.

“Çdo herë kam qenë në nivel të detyrës dhe obligimeve që i kam pasur si drejtor i Arsimit. Unë mendoj se në këtë rast komuna e Drenasit nuk është dëmtuar përkundrazi ajo ka përfituar duke u mbështetur në faktin se nuk ka pasur ndërprerje të procesit mësimor në këto dy shkolla”, tha ish-drejtori komunal i Drenasit

Seanca e radhës u caktua më 2 mars.

Dosja e Prokurorisë e ngarkon Tahirajn se pa përfillur procedurat e tenderimit kishte angazhuar kompanitë “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K. për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill të shkollës fillore “Rasim Kiçina” në Drenas dhe rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec.

Sipas aktakuzës, pa u përfillur procedura e tenderimit, është lidhur marrëveshja e mirëkuptimit në mes Sadik Tahirajt dhe “Al Trade” për furnizimin me material për ndërtimin e depos për thëngjill në shkollën “Rasim Kiçina” për të cilën është dashur Komuna e Drenasit të paguajë shumën prej 8,543.31 euro.

Ndërsa me “A&I”, Sadik Tahiraj kishte lidhur marrëveshje mirëkuptimi për rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” pa përfillur procedurat e tenderimit, për të cilën Komuna e Drenasit kishte paguar 17,043.50 euro.

Tahiraj poashtu akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, në mars të vitit 2014 i ka lëshuar kontratë pune për mësimdhënës Mimoza Berishës, si edukatore, në shkollën e mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas. Kjo sipas Prokurorisë ka ndodhur pa konkurs publik dhe pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit. Kështu, Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.

Nexhat Demaku rrëfehet në Gjykatë për punësimin pa konkurs për të cilin akuzohet