Ish-drejtori akuzohet për lejimin e ndërtimit të mbi 14 objekteve pa leje

Demë Dashi, ish-Drejtor i Inspektorateve në Komunën e Pejës po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Seanca në këtë gjykim ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Pejës, për shkak të mungesës së prokurorit, Ali Uka.

“ Prokurori Ali Uka i cili ka njoftuar përmes telefonit dhe emailit gjykatën, është i zënë me një ceshtje tjetër gjyqësore dhe kërkon shtyrjen e kësaj seance”, deklaroi gjykatësi.

Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës ai ju ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm personave Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Seanca e radhës është shtyre për datën 5 gusht në ora 10 : 00.