Foto: Kallxo.com

Ish-drejtoresha e Mitrovicës rigjykohet për konkursin për arsimtare të Psikologjisë

Ish drejtoresha e Arsimit në komunën e Mitrovicës, Ajmane Barani, është rikthyer në bankën e të akuzuarës në gjykatën e Mitrovicës.

Barani po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në një konkurs të komunës për Arsimtar/e të Psikologjisë për një shkollë të Mitrovicës.

Sipas aktgjykimit të shpallur në dhjetor të vitit të kaluar Barani ishte liruar nga akuza për këtë vepër penale.

Por gjithçka nuk ka përfunduar me kaq, sepse pas ankesës së prokurorisë në Mitrovicë, gjykata e Apelit  ka kthyer në rigjykim këtë lëndë.

Kurse në seancën e rigjykimit të mbajtur në gjykatën e Mitrovicës e pandehura pas leximit të akuzës nga prokurori Ismet Ujkani edhe një herë u deklarua se nuk ndihej fajtore për veprën që i vihej në barrë nga prokuroria.

Seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse, derisa prokurori Ujkani dhe e pandehura Barani deklaruan se mbeten në tërësi pranë deklarimeve të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Tutje janë dëgjuar edhe dëshmitaret Njomza Hamza dhe Shefkije Dragaj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit, dëshmitarja Hamza ka treguar se ishte shpallur konkursi pas ankesës që e kishte bërë e dëmtuara Mirdona Istrefi.

Tutje Hamza deklaroi se është shpallur konkursi i ri, ndërsa ajo nuk kishte qenë anëtare e komisionit, por kolegët e tjerë të Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë.

“Kush ishte ishte pranuar në punë në konkursin e rishpallur për lëndën e psikologjisë”, ishte pyetja e radhës nga prokurori I rastit për dëshmitaren Hamza.

Ndërsa ajo u përgjigj se procesi në këtë rasti kishte përfunduar dhe me sa kishte dijeni ajo, në punë nuk ishte pranuar e dëmtuara Mirdona Istrefi por dikush tjetër.

Edhe dëshmitarja tjetër në këtë rast, Shefkije Dragaj, ka thënë në gjykatë se konkursi i vitit 2014 për lëndën e psikologjisë ishte rishpallur ne vitin 2015. Në atë konkurs ishte pranuar D.R. dhe se ekziston një dokumentacion i tillë për konkursin e rishpallur.

Gjatë kësaj seance prokurori Ujkani ka propozuar që të sigurohet dokumentacioni nga Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë në lidhje me konkursin e rishpallur në vitin 2015, se sa kandidatë kanë aplikuar, kush është pranuar sipas konkursit dhe a ka pasur ankesë, si është vendosur sipas ankesës dhe pas kësaj kush është pranuar të punoj si profesor i psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi”.

Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues, ndërsa në këto rrethana kryetari i trupit gjykues Radoslav Markoviq ka shtyrë seancën e shqyrtimit gjyqësor për 20 dhjetor.

Sipas aktakuzës Prokuroria e Mitrovicës akuzon Ajmane Beranin se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Barani me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore i ka shkaktuar dëm personit tjetër, tani të dëmtuarës Mirdona Istrefi.

Sipas aktakuzës tani e akuzuara nuk e ka përfillur vendimin e komisionit për pranimin e mësimdhënësve për lëndën e psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“ në Mitrovicë lidhur me konkursin plotësues që ishte shpallur në dhjetor të vitit 2014.

Në këtë vendim komisioni kishte vendosur për pranimin në punë të kandidates Mirdona Istrefi, ndërsa në vendin e saj tani e pandehura ka pranuar një kandidate tjetër.

Me këtë ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, thuhet në aktakuzë.

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë kishte rekomanduar që të shpallej konkurs për mësimdhënës të lëndës së psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“, në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së rekomandimit, mirëpo e pandehura nuk kishte vepruar sipas këtij rekomandimi.