Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Ish-doganierët dalin para gjyqit për marrje ryshfeti

Dy ish-zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës për t’u përballur me akuzën për marrje ryshfeti.

Alban Krasniqi e B. P. po gjykohen se kanë marrë ryshfet 450 euro.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe biznesmeni Liridon Borovci së bashku me Habib e Isak Lutën, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dhënie të ryshfetit.

Fillimisht të akuzuar ishin Alban Krasniqi, B. P., Liridon Borovci ndërsa më vonë është zgjeruar aktakuza, pjesë e të cilës do të jenë edhe Habib Luta dhe Isak Luta.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe B. P. në nëntor të vitit 2015 kërkojnë dhe marrin shumën prej 450 euro si ryshfet nga Isak Luta, i cili ishte dërguar nga Habib Luta.

Ky ryshfet, sipas Prokurorisë, ishte dhënë në mënyrë që malli të mos ekzaminohej sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës. Kjo pasi që Dogana e Kosovës kishte vërejtur gjatë ekzaminimit të mallit të Habib Lutës, i cili ishte sjellë për t’u zhdoganuar, se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër, siç kishte deklaruar Habib Luta, por edhe mall të ri.

Ndërsa Liridon Borovci, pronar i firmës “Euro Joni Kosova”, kishte biseduar vazhdimisht me B. P. dhe Habib Lutën duke e bindur atë që t’i japë ryshfetin prej 450 euro zyrtarëve doganorë me qëllim që malli të zhdoganohet.

I akuzuari Alban Krasniqi, ish-doganier, në Gjykatë  u mbrojt duke deklaruar se malli është ekzaminuar sipas kritereve doganore, se nuk kanë hasur në parregullësi dhe se për këtë është edhe raporti i inspektimit të cilin, sipas tij, e kanë nënshkruar ai vetë dhe shefi i tij.

“Për këtë vepër penale kam kuptuar se jam i dyshar më 27.12. 2017, pas 25 muajve të këtiij rasti, kur jam suspenduar nga puna”, tha Krasniqi.

I pyetur nga mbrojtja nëse kishte kërkuar diçka për zhdoganimin e mallit, i akuzuari tha se as nuk ka kërkuar as nuk ka komunikuar me askënd.

Për Liridon Borovcin, Alban Krasniqi tha  se nuk e njeh.

I akuzuari mohoi ta ketë pasur një numër telefoni për të cilin e pyeti prokurori i rastit.

Ndërsa në pyetjen e avokatit Florent Latifi se a ka qenë me të edhe B. P., i akuzuari tha se nuk ka qenë.

Pasi që deklaroi se nuk e di i kujt ka qenë malli i zhdoganuar, i akuzuari Krasniqi foli edhe për mallin. Ai tha se një pjesë ka qenë mall i përdorur, me përjashtim të një pjese – laminat për shtrimin e dyshemesë, i cili ka qenë i papërdorur.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari  B. P. deklaroi se deri sa është suspenduar ka punuar në Doganën e Kosovës, pika Hani i Elezit.

Ai tha se më 9 nëntor 2015 ka qenë në punë dhe ka ekzaminuar mallin që ka hyrë në Doganë, në terminlain doganor “Devolli”, në Prishtinë.

I pyetur për mallin për të cilin zhvillohet gjykimi, i njëjti tha se nuk ka ekzaminuar mallin që është admisnitruar gjatë seancës si provë dhe nuk ka pasur të bëjë asgjë me këtë mall.

I pyetur se a e njeh Habib Lutën, B. P. tha se nuk e njihte dhe se për herë të parë me të është takuar në Gjykatë. “Ndërsa Liridon Borovcin rastësisht e kam takuar në depo në Fushë-Kosovë para se me ndodh rasti”, shtoi i akuzuari.

I pyetur nga prokurori i rastit nëse ka pasur kontakte telefonike me Liridon Borovcin, i akuzuari deklaroi se  është e vërtetë që ka pasur por se nuk i kujtohet kur ka biseduar “por e di që kemi bisedu”.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Liridon Borovci deklaroi se prej  shtatorit 2014 deri në mars 2016 ka pasur një firmë “Euro Tregu Joni”, e cila, sipas tij, gjatë asaj periudhe ka qenë e destinuar për blerjen e elektro-sendeve të përdorura nga Gjermania dhe se firma ka qenë aktive deri më 22 mars 2016, pra deri kur ka ndodhur rasti në fjalë.

Borovci tregoi se më 19.09.2015 e kishte marrë përsipër ta zhdoganojë përmes firmës “Euro Tregu Joni” mallin e porositur nga Habib Luta, meqë ky nuk ka pasur një firmë aktive në Kosovë.

Tutje Borovci deklaroi se Habib Luta ka sjellë mallin në terminalin doganor në Prishtinë.

Ai tregoi se ka punuar edhe me herët me Habib Lutën, duke përmendur një kundërvajtje doganore që e kanë pasur, por për të cilën tha se e kanë paguar dhe u është dashur që mallin ta blejnë për herë të dytë.

“Është e vërtetë që gjatë bisedës me Habib Lutën ka thënë që ka rast të vdekjes dhe nuk ka të holla për zhdoganimin e mallit, por do të më sjellë përmes djalit të vëllait”, tha i akuzuari.

“Në përgjimet telefonike del se unë ia kam kërkuar Habib Lutës 450 euro, në fakt kanë qenë 500, kinse unë po i kërkoj për t’ua dhënë oficerëve doganorë. Këto të holla m’i ka sjellë Isak Luta në parkingun e terminalit doganor ‘Devolli’ në Prishtinë. Pastaj Habibi më thotë në telefon por edhe live se disa nga malli është i dëmtuar gjatë shiqimit nga ana e Doganës dhe thotë se do ta padisë oficerin doganor Albanin”, tha Borovci.

Kur prokurori i rastit e ballafaqoi me  deklaratën e dhënë para hetuesve doganorë,  sipas së cilës kishte thënë : Paret në vlerë prej 500 euro i ka sjellë Isak Luta dhe ia ka dhënë doganierit B. P. te kafja e ‘Devollit’, po ashtu edhe 50 euro m’i ka dhënë mua për shkak që ka përdorur firmën time”, i akuzuari deklaroi se para hetuesve doganorë ka qenë në gjendje ta marrë përsipër gjithë rastin vetëm e vetëm të lirohej nga presioni, që sipas tij, kishte për rastin në Gjykatën e Mitrovicës.

I pyetur nga prokurori se për çfarë kishin biseduar gjatë një bisede telefonike të datës 10.11.2015 me B. P., kur kishte thënë: “Qe qitu jam te parkingu me ti pru, po a del ti kha nalt a qysh me ja ba?”, i akuzuari tha se mendon se biseda ka qenë për një biçikletë.

I akuzuari tregoi se ishte informuar se gjatë zbatimit të masave të përgjimit në rastin e Mitrovicës ishte zbuluar edhe vepra e tij e dytë penale.

Ai tha se i vjen keq që i ka përfshirë oficerët doganorë në këtë rast dhe u kërkoi falje.

(Shënim: B. P. i është larguar emri i plotë pasi i njëjti ka prezantuar agjktgjykmin e plotëfushiqëm të Gjyatës me të cilin ai është shpallur i pafajshëm – Koha e editimit: 16:11 – 29.02.2024)