Ish-deputeti M.Z. i akuzuar për viza gjermane: 900 dëshmitarë nuk ia kanë ftuar as Karaxhiqit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, M.Z., i është ankuar të të mërkurën gjykatës në Prishtinë për numrin e madh të dëshmitarëve që janë vënë në listë për të dëshmuar në rastin e mashtrimit me viza gjermane për të cilin ai po akuzohet bashkë me dy persona tjerë me inicialet E.K dhe I.K.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ua ka ndaluar mediave që e përcjellin këtë seancë që t’i publikojnë emrat e të akuzuarve duke urdhëruar që ata të prezantohen në opinion vetëm përmes inicialeve.

Prokuroria ka vendosur në listë një numër të madh prej rreth 900 dëshmitarëve të cilët pritet të japin dëshmitë e tyre në këtë rast, por M.Z. reagoi sot për këtë.

“900 dëshmitarë as Karagjiqit nuk ia kanë ftuar në Hagë,” tha ish-deputeti nga NISMA, M.Z., në seancën e sotme duke iu referuar të dënuarit për krime luftë në Bosnjë e Hercegovinë, Radovan Karaxhiq.

Që të tre të dyshuarit në këtë rast akuzohen për veprat penale të mashtrimit, shpëlarje të parave dhe shmangie nga tatimi.

Por seanca e caktuar për sot dhe ajo për 20 shkurt janë anuluar për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit nga të akuzuarit.

I akuzuari I.K, para gjykatës deklaroi se mbrëmë kishte pasur një intervenim kirurgjik në të dy veshët.

“Tani totalisht i kam të mbyllur (veshët) dhe nuk jam në gjendje që ta dëgjoj dëshmitarin se çfarë thotë”, tha I.K.

E si dëshmi e dorëzoi në gjykatë edhe një raport mjekësor i cili iu bashkëngjit dosjes gjyqësore.

Poashtu ai kërkoi nga gjykata që seanca e sotme dhe e datës 20 shkurt të shtyhet pasi nuk e di se sa kohë i duhet për t’u trajtuar jashtë vendit.

Lidhur me këtë propozim të të akuzuarit I.K, prokurori i rastit Atdhe Dema deklaroi se e lë në dorë të gjykatës të vendosë nëse do të vazhdojë seanca meqë i akuzuari nuk është në gjendje të mirë shëndetësore që ta dëgjojë dëshmitarin e sotëm.

Pas dëgjimit të prokruroit të rastit, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili mori vendim me të cilin aprovoi kërkesën e të akuzuarit I.K dhe njëkohësisht e anuloi edhe seancën e datës 20 shkurt.

Ndonëse për sot ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Mexhid Rexha, gjykata mori vendim që seanca në këtë gjykim do të shtyhet në kohë të pacaktuar.

Ndërsa 4 dëshmitarë të tjerë munguan nga fletëkthesa e të cilëve konstatohej se adresa ishte e pasaktë dhe gjykata mbeti që për këta dëshmitarë të lëshojë kërkesë për verifikimin e adresës nga Policia e Kosovës.

E në lidhje me mungesën e dëshmitarëve, reagoi ish-deputeti i akuzuar M.Z.

“Nëse nuk funksion administrata e Gjykatës për të kontaktuar me dëshmitarë unë do ta ndërroj emrin në Millan Zhivkovic sepse ky proces  gjyqësor do të zgjasë 10 vite për shkak se këtu janë propozuar të dëgjohen 900 dëshmitarë,” tha ish-deputeti M.Z.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M. Z., dhe I. K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me 2 qershor 2016 kishin themeluar biznesin si agjension punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi. Gjithnjë sipas aktakuzës, M.Z., E.K., dhe I.K. ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.