Shpallja e aktgjykimit| Foto: KALLXo.com

Deputeti Etem Arifi sot do të duhej të shkojë në burg për vuajtje të dënimit

Ndaj Deputetit Etem Arifi, i dënuar për veprën penale mashtrim me subvencione Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhëresë për paraqitjen në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta vuajtur dënimin për veprën penale mashtrim me subvencione.

Gjykata ka urdhëruar tani të dënuarin Arifi që deri me datën 9 mars në ora 12:00 të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

“Nëse i dënuari Arifi nuk paraqitet deri në datën dhe orën e lartcekur ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhërarrest, ndalim dhe shoqërim me forcë për në Qendrën Korrektuese”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Bashkë me të dënuarin Arifi, është urdhëruar edhe i bashkakuzuari Bajram Gashi, i dënuar me 1 vit burgim për mashtrim me subvencione.

Edhe për të dënuarin Gashi është lëshuar urdhër i njëjtë, i cili është siguruar nga Kallxo.com

Ish-Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi me 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Dënohet deputeti

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.

Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.