Ish-bashkëshorja e Ivanoviqit i shkruan gjykatës se nuk ka siguri të dëshmojë pas zhvillimeve në veri

Gjykata e Prishtinës ka marrë aktvendim me të cilin do të kërkoj ndihmës-juridiko ndërkombëtar që të mundësohet dëgjimi i dëshmitares Millena Popoviq, e cila sot nuk ishte prezent për të dëshmuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Ne do të mundohemi edhe një herë, përmes ndihmës juridike ndërkombëtare kërkoj që të merret deklarata e Millena Popoviq qoftë edhe përmes video-linkut, mirëpo duke ja caktuar një datë Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për ndihmë juridike ndërkombëtare”- mori aktvendim gjykata.

Mungesën e saj Popoviq e kishte arsyetuar me situatën politike të krijuar në veri të vendit duke e ndërlidhur me arsye të sigurisë, e njëjta kishte njoftuar gjykatën që nuk mund të paraqitet për të dëshmuar.

Popoviq përmes emailit kishte kërkuar nga gjykata që t`i mundësohet dhënia e dëshmisë përmes video-linkut.

E lidhur me mungesën e Popoviq, prokuroria tha që nuk mund të pritet deri në pafundësi për të dëshmuar për këtë rast.

“Sa i  përket dëshmitarëve, siç po shihet shqyrtimi gjyqësor në mungesë të dëshmitares është shty disa herë…, tash po njoftohemi edhe me email zyrtar që e ka dërguar në fillim të muajit mars, ne për shkaqe të ekonomizimit të kësaj procedure që është tejzgjatur ka qenë interes i prokurorisë që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares Millena Popoviq por që nuk mund ta presim në pafundësi”- tha prokurori i Prokurorisë Speciale.

Gjithashtu gjykata aprovoi propozimin e të akuzuarit Nedelko Spasojeviq që si dëshmitar të dëgjohen Nebojsha Qamiloviq, i cili ishte komandat i tashmë të akuzuarit Spasojeviq dhe Goran Zhirkoviq, i cili në atë kohë ka qenë ushtrues i detyrës së komandantit.

Ndërsa i njëjti hoqi dorë nga dëgjimi i dy dëshmitarëve të tjerë të cilit ishin propozuar më parë.

Për mungesën e tyre sot, Spasojeviq tha që të njëjtit e kanë lutur dhe kanë kërkuar që të shtyhet kjo seancë, për arsyet politike në veri të vendi pas dorëheqjes së një numri të madh të zyrtarëve policor në atë pjesë të vendit.

Lidhur me deklarimin e Spasojeviq, mbrojtësi i të akuzuarit Rade Basara, Tomë Gashi tha që gjykata nuk mund të kufizohet në propozime të karakterit juridik sepse askush nuk i ka detyruar policët të dorëhiqen.

Si pasojë e mungesës së dëshmitarëve, seanca e cila ishte përcaktuar të mbahet nesër do të anulohet për të vazhduar në maj të këtij viti.

Kryetari i trupit gjykues me të filluar seanca kishte një kërkesë që të mos ketë video incizim nga ana e mediave ani pse seanca ishte publike, pasi që siç tha gjyqtari duhet të kihet kujdes sepse përmenden emra të dëshmitarëve, e që mund të ketë impakt. Për të përcjellë gjykimin u lejuan monitoruesit dhe gazetarët e mediumeve.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Së fundmi për këtë rast është arrestuar Milan Mihajloviq i cili është i njohur me emrin “Popi”

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK