Ish-anëtari i ISIS-it Agon Misini pranon fajësinë për terrorizëm

 

Gjilanasi Agon Misini, i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm në ISIS, sot e pranoi fajësinë.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Afrim Shefkiu, i propozoi gjykatës që ta miratojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari Misini pasi që është në përputhje të plotë me shkresat e lëndës.

Por i rikujtoi gjykatës rrethanat rënduese që duhet t’i ketë parasysh gjatë shqiptimit të dënimit dhe atë peshën e veprës penale, dashjen në këtë vepër, rrezikshmërinë, frikën që ka shkaktuar të qytetarët, e veçmas video inçizimin me përmbajtje inkriminuese në të cilin shihet me eprorët dhe anëtarët e ISIS-it.

Duke shpresuar që ky dënim të ndikojë në rehabilitimin e të akuzuarit Misini dhe të parandalojë personat e tjerë në pjesëmarrjen dhe organizimin  e veprave terroriste, deklaroi Prokurori Afrim Shefkiu.

Ndërsa avokatja Albana Kelmendi, pasi e propozoi pranimin e fajësisë për të akuzuarin Agon Misini gjithashtu përmendi rrethanat lehtësuese që gjykata duhet t’i ketë parasysh gjatë matjes së dënimit dhe atë gjendjen familjare, faktin që për herë të parë ka rëndë ndesh me ligjin, si dhe i njëjti ka treguar emrat e pjesëtarëve të tjerë të ISIS-it, pendimin e thellë.

Ndërsa i akuzuari Agon Misini deklaroi se e mbështes në tërësi avokaten time.

Vendimi do të shpallet me 2 dhjetor.

Aktakuzë ndaj të kthyerit nga Siria që pretendohet se luftoi përkrah ISIS-it

Sipas Prokurorisë Speciale i pandehuri Agon Misini në korrik të vitit 2015 me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të shkuarjes në Siri.

Në bazë të aktakuzës i pandehuri përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, dhe më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, ku nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë.

Tutje aktakuza përshkruan se i pandehuri Agon Misini me të arritur në Siri i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26.07.2017 është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç‘rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.