ARKIV - Nga seanca e gjykimit ndaj Asdren Mekajt. Foto: Kallxo.com

Intervistimi i dëshmitares e ktheu në rigjykim rastin ndaj Asdren Mekajt

Avokati Asdren Mekaj, në maj të 2019, ishte dënuar me 14 muaj burgim për veprën penale të shantazhit. Apeli me 27 dhjetor të 2019, këtë dënim e kishte vërtetuar. Por avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Asdren Mekaj, kishte goditur të dy aktgjykimet e gjykatave me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Me këtë kërkesë avokati Berisha, pretendonte se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e cila është aprovuar theksonte se arsyetimi i aktgjykimit të  shkallës së parë, kishte mungese të të arsyetuarit përkitazi me veprën penale dhe përgjegjësinë penale të dënuarit.

Po ashtu Kërkesa për Mbrojtjen e Ligjshmërisë, theksonte se në aktgjykimin e shkallës së parë nuk janë arsyetuar as faktet vendimtare.

Gjykata Supreme, gjeti si të bazuar Kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë dhe prishi aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë duke e kthyer çështjen penale në rigjykim.

Gjykata e shkallës së parë ka marrë në pyetje të akuzuarin para prezantimit të provave.

Gjykata Supreme, duke u bazuar në procesverbalin  datës 27 prill 2018, gjeti se i dënuari pas prezantimit të provave përkatësisht konstatimit si të lexuara kishte deklaruar se qëndron pranë mbrojtjes së tij të dhënë me datën 28 prill 2009.

Mirëpo pas kësaj, gjykata kishte vendosur që sipas detyrës zyrtare ta dëgjonte në cilësinë e dëshmitares të dëmtuarën V. M., e cila bazuar në procesverbalin e datës 25 maj 2018, ishte marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitares.

Kurse në procesverbalin e datës 22 mars 2019, ishin konstatuar si të lexuara shkresat e lëndës dhe ishte vazhduar me fjalën përfundimtare në seancën e datës 15 maj 2019.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, thuhet se duke u bazuar në procesverbalet e gjykimit, del se pas dhënies së dëshmisë nga dëshmitarja V. M., gjykata nuk i ka dhënë mundësinë të dënuarit Asdren Mekaj, që të paraqesë mbrojtjen dhe në këtë mënyrë ka bërë shkeljen esenciale të dispozitave procedurale.

KALLXO.com, në vazhdimësi ka raportuar për procesin gjyqësor ndaj avokatit Asdren Mekaj – LINK