Inspektori prizrenas me 4 aktakuza del para gjyqit

Inspektori në Prizren me 4 aktakuza mohon fajësinë: Aktakuza është tendencioze, ndikuan në përkeqësim të shëndetit tim.

Inspektori  i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektorateve në Prizren, Nexhmedin Musliu, që aktualisht është i suspenduar nga puna, po përballet me 3 aktakuza të Prokurorisë së Prizrenit, dhe një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Musliut që nga fillimi i vitit 2019 i janë ngritur 3 aktakuza nga Prokuroria e Prizrenit, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa kishte ushtruar detyrën e Inspektorit të Ndërtimtarisë.

Musliu është edhe njëri ndër 5 të akuzuarit në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për ndërtime të kundërligjshme në Prevallë.

Aktakuzë ndaj pesë inspektorëve për ndërtimet e kundërligjshme në Prevallë

por kur doli sot para gjykatës në Prizren për t’u përgjigjur për njërin nga këto raste, i akuzuari Nexhmedin Musliu mohoi akuzat e Prokurorisë së Prizrenit.

Musliu sot para gjykatës ka thënë se aktakuzat e Prokurorisë janë të pabazuara, tendencioze dhe qëllimkëqija.

Sipas tij, ngritja e aktakuzave të tilla po ndikojnë edhe në përkeqësimin e shëndetit të tij.

KALLXO.com ka raportuar për 2 aktakuza të mëhershme ndaj  ish – inspektorit Musliu, i cili gjithashtu ishte deklaruar i pafajshëm në të dy rastet ku po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Inspektori i Prizrenit me dy aktakuza

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Gent Gjini para Gjykatës në Prizren tha se objektin e theksuar në aktakuzë në zonën “Qylhan”, përgjegjës ka qenë një inspektor tjetër nga Drejtoria e Inspektoratit në Prizren, e jo inspektori Nexhmedin Musliu.

Në anën tjetër, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se kërkesa e palës mbrojtëse për hedhje të aktakuzës është e pabazuar. Ajo shtoi se aktakuza është e bazuar në ligj dhe mbështetet në prova të pranueshme sipas dispozitave ligjore.

Pas kësaj, gjyqtarja Raima Elezi me vendim refuzoi kërkesën për hedhje të aktakuzë dhe kundërshtimin e provave. Shqyrtimi gjyqësor do të caktohet pasi që të vendoset lidhur me vendimin për refuzimin e kërkesës për hedhje të aktakuzës, pasi që avokati Gent Gjini paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 25.09.2019, inspektori Nexhmedin Musliu ka vepruar në atë mënyrë që derisa ka pasur përgjegjësi të inspektimit të ndërtimeve në rrugën e “Muhaxherëve”, nuk e kishte inspektuar dhe nuk kishte ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje.

Aktakuza thotë se investitori, duke  ndërtuar objektin e tij, kishte tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga organi kompetent komunal – Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e Komunës së Prizrenit.

Me këtë rast i akuzuari, sipas Prokurorisë, i kishte mundësuar investitorit ndërtimin e një kati dhe mospagimin e taksave komunale, ndërsa Komunës së Prizrenit i kishte shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.