Inspektori i ndërtimit dënohet me 8 muaj burgim për ndërtimet pa leje në Prizren

Inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu të enjten është shpallur fajtor dhe është dënuar nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata e Prizrenit Musliut i shqiptoi 8 muaj burgim.

Të njëjtit iu ndalua edhe ushtrimit i profesionit në administratë publike për një vit.

Në arsyetimin e dhënë kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha tha se në rastin konkret i akuzuari nuk i ka ndërmarr veprimet për t’i ndaluar mbindërtimet.

Deri tek ky vendim erdhi pasi që i akuzuari në seancën e kaluar më datë 14 shtator 2022, ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihej në barrë.

Gjykata obligoi të akuzuarin që t’i paguajë shpenzimet procesirale. Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore u udhëzua në kontest civil.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje.
Tutje, në akuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u ka mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

“I pandehuri Musliu asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan””-thuhet në aktin akuzues të Prokurorisë.

Me këtë Nexhmedin Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare. Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera që ndërlidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.