Inspektori i ATK-së i akuzuar se mori ryshfet para e karrige, deklarohet rreth fajësisë
Në rastin e Driton Fetahu ish-inspektor i ATK-së, e Bledar Hasku kontabilist, të akuzuar për vepra që ndërlidhen me korrupsion, sot para gjykatësit Nikollë Komani ata u deklaruan të pafajshëm.
Gjykata iu dha 30 ditë kohë për të bërë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe provave të saj.
Seacën e kaluar prokurori kërkoi shtyrjen e saj për përmirësim të aktakuzës.
Nga përmirësimi i aktakuzës, i akuzuari Driton Fetahu ngarkohet me veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa Bledar Hasku për dhënie të ryshfetit.
Para ricilësimit të aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit ngarkoheshin që të dy.
Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga komuna e Rahovecit.
Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karrige në vlerë prej 360 eurove.
Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 100 euro të tjera.
Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.