i akuzuari Lavdim Rexhepi - Foto: KALLXO.com

Inspektori i ATK-së e pranon se mori ryshfet

Inspektori tatimor i ATK-së, Lavdim Rexhepi, ka thënë se e ndjen veten fajtor për veprën penale – marrje ryshfeti.

“E ndjej veten fajtor për veprën penale për të cilën ngarkohem”, tha i njëjti në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Lavdim Rexhepi në cilësinë e personit zyrtar- inspektor tatimor në ATK, në Prishtinë, në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke marrë ryshfet nga e dëmtuara Lejla Krasniqi.

Prokuroria kishte lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me të pandehurin më 14 gusht 2019.

Në seancën dëgjimore  të mbajtur sot në Gjykatën e Prishtinës, për shqyrtimin e kësaj marrëveshje, prokurori Rafet Halimi deklaroi se Prokuroria me të pandehurin kanë lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë dhe njëherazi Gjykatës i propozoi që këtë marrëveshje ta aprovojë dhe të pandehurit t’i shqiptohet dënimi sipas marrëveshjes së arritur.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Ramë Dreshaj, tha se me të mbrojturin e tij kishte biseduar mjaftueshëm rreth marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

“E lus kryetarin që te dënimi me gjobë që është paraparë në marrëveshje shuma prej 3 mijë deri në  3.500 euro, Gjykata ta marrë minimumin, si dhe dënimi tjetër komulativ te dënimi me burgim ta marrë minimumin e dënimit. Si dhe kërkoj nga Gjykata që dënimi me burgim të zëvendësohet në dënim me gjobë dhe njëkohësisht të dy dënimet të bëhen me pagesë me këste”, tha avokati Dreshaj.

Më pas gjykatësi, Lutfi Shala, mori aktvendim duke aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe njoftoi se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 30 gusht.

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më datë 14 gusht 2019 ndaj Lavdim Rexhepit për veprën penale marrje e ryshfetit.

Sipas aktakuzës Lavdim Rexhepi në cilësinë e personit zyrtar, inspektor tatimor në ATK, në Prishtinë, në vazhdimësi ka keqpërdor detyrën zyrtare duke marrë ryshfet nga e dëmtuara Lejla Krasniqi.

Tutje në aktakuzë thuhet se ka marrë nga e dëmtuara dy herë shumat prej 30 euro dhe 300 euro, pasi që e dëmtuara Krasniqi kishte obligime tatimore rreth 6.000 euro në ATK.

Aktakuza thotë se Rexhepi të njëjtës i kishte premtuar korrigjimin e deklaratave tatimore për biznesin e të dëmtuarës, ndërsa më 24.11.2018, në parkingun qe gjendet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë,  gjatë zbatimit të masës së fshehtë, ka marrë edhe shumën prej 300 euro nga e dëmtuara Krasniqi, dhe pas marrjes së parave është ndaluar nga Policia, e cila ka qenë duke zbatuar masa të fshehta hetimore ndaj Rexhepit.