Arrest/Ilustrim FOTO-KALLXO.com

Inspektori i arrestuar për marrjen e 12 mijë eurove ryshfet del sot para gjykatës

Inspektori i Prishtinës i arrestuar në flagrancë më 29 shtator me 12 mijë euro në xhep të dyshuara si ryshfet, sot do të dalë para Gjykatës së Prishtinës.

Pas ndalimit prej 48 orësh i njëjti do të përballet me kërkesën e Prokurorisë e Prishtinës për caktimin e paraburgimit.

Gjykata e Prishtinës, me gjykatësin Vesel Ismaili, do të mbajë seancë në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit Ardian Gashi për caktimin e paraburgimit.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës për informim, Mirlinda Gashi.

KALLXO.com ka raportuar se më 29 shtator, një inspektor i Prishtinës është arrestuar në flagrancë duke kryer veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Arrestimi është  bërë nga njësiti NJHRKEK – Prishtinë i Policisë së Kosovës, pasi kanë pranuar informatën nga ankuesi se i njëjti edhe pse ka pasur leje ndërtimi nga inspektori në fjalë i janë kërkuar para për ta lejuar ndërtimin.

Njësiti NJHRKEK – Prishtinë ka ndërmarrë veprimet hetimore për simulimin e kësaj vepre penale siç janë sigurimi i parave, fotografimi i numrave serik të tyre.

Paratë e Policisë në shumë prej 12 mijë euro ishin gjetur në çantën e inspektorit me rastin e arrestimit të tij.

Pas arrestimit, inspektori me vendim të Prokuroisë së Prishtinës është dërguar në ndalim 48 orë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 29 shtator 2020, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një inspektori i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar.

“Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’”, ka thënë tutje policia.