Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto: Atdhe Mulla

Informacioni i pasaktë se gjykata po flet vetëm shqip

Gjashtë platforma online “Mitrolajm” (arkiva), “Mitro Fol” (arkiva), “Qyteti i Mitrovicës” (arkiva), “Jepizë” (arkiva), “Veriu.info” (arkiva) dhe “Mitropol” (arkiva), pa asnjë verifikim kanë ripublikuar një status të avokatit Tomë Gashi, në të cilin ai pretendon që Gjykata e Mitrovicës flet vetëm gjuhën shqipe.

Në postimin e tij avokati Gashi ka shkruar se “Me Albinin krejt Gjykata Themelore ne Mitrovice flet shqip”.

Por të dhënat zyrtare nga Gjykata e Mitrovicës tregojnë se kjo Gjykatë ka vazhduar ta zbatojë Ligjin për gjuhët zyrtare dhe të zbatojë standardet gjuhësore për palët në procedurë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës si gjuhë zyrtare në institucione të Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.

“Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe”- thuhet në nenin 5, paragrafi 1.

Në sistemin e drejtësisë nëse palët nuk flasin këto gjuhë atëherë gjykata siguron që për të njëjtit të ketë përkthyes dhe personi që është në procedurë të kuptojë në gjuhën e tij procedurën gjyqësore.

Për të verifikuar se ky standard zbatohet, më 30.07.2024 KALLXO.com ka kontaktuar zyrtarët e Gjykatës së Mitrovicës.

Në një përgjigje zyrtare zëdhënësja e Gjykatës, Hateme Haxhaj-Haziri, ka konfirmuar se procedurat zhvillohen duke u respektuar standardet gjuhësore.

“Gjykimet mbahen në dy gjuhë. Këtu funksionin Zyra për përkthime varësisht prej gjuhës së palës në atë gjuhë mbahet. Nëse janë gjyqtarët shqiptarë atëherë gjykimi mbahet në gjuhën shqipe, mirëpo përkthehet për palën në gjuhën serbe”- ka thënë Haxhaj-Haziri në përgjigjen e datës 30.07.2024.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, përkthimi duhet t’i sigurohet çdo pale në procedurë penale me qëllim që ai të kuptojë drejt dhe saktë se çka po ndodh në gjykim.

Sipas Kodit të Procedurës Penale në rast se ka palë të cilat flasin gjuhë të tjera duhet medoemos të sigurohet përkthimi i cili mbulohet me shpenzimet e gjykatës.

“I pandehuri, i cili nuk e flet ose nuk e kupton gjuhën e procedurës, ka të drejtë në përkthim të cilësisë së mjaftueshme në mënyrë që të garantohet paanshmëria e procedurës, veçanërisht për të siguruar që ai ka njohuri të rastit kundër tij dhe është në gjendje të ushtrojë të drejtën e tij të mbrojtjes”- thuhet në nenin 14 paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale.

Në fotografinë e shfaqur avokati Gashi ka shpërfaqur edhe logon e Gjykatës e cila është në gjuhët zyrtare.

Zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Heteme Haxhaj-Haziri, tha se logoja e Republikës së Kosovës ka qenë e vendosur në objektin e institucionit në fjalë në kohën kur ajo ka marrë këtë pozitë nga marsi i këtij viti.

“Po prej që unë kam filluar punën më 1 mars 2024 ka qenë e vendosur aty”- tha Hateme Haxhaj-Haziri, zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës.

Kallxo.com ka verifikuar edhe kohën kur pllaka është vendosur në këtë Gjykatë.

“Kjo tabelë, ka qenë në dispozicion të Gjykatës Themelore në Mitrovicë që nga fillimi, mund të jetë data 9 apo 10 nëntor 2022, e cila është vendosur në këtë hapësirë që të jetë e dukshme për qytetarë” – thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, në vitin 2024 janë 84 punëtorë të komuniteti shqiptar dhe 3 të komunitetit boshnjak.

Punonjës të komunitetit serb sipas përgjigjes nuk ka pasi që më 07.11.2022 kanë dhënë dorëheqje 65 punëtorë serbë dhe një nga komuniteti goran.

“Në vitin 2024 (momentalisht) në Gjykatën Themelore Mitrovicë janë 84 punonjës të komunitetit shqiptar dhe 3 boshnjak. Punonjës të komunitetit serb nuk ka pasi që me datë 07.11.2022 në Gjykatën Themelore Mitrovicë kanë dhënë dorëheqje 65 punonjës të komunitetit serb si dhe 1 nga komuniteti goran”- thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës së Mitrovicës.

Në vitin 2021, sipas përgjigjes, kanë qenë 73 shqiptarë, 68 serbë dhe 3 boshnjakë.

“Në vitin 2021 kanë qenë 73 shqiptarë, 68 serbë dhe 3 boshnjakë”- thuhet tutje në përgjigjen e Gjykatës së Mitrovicës.

Gjykata ka sqaruar se këto të dhëna janë vetëm për Gjykatën e vendosur në Mitrovicë dhe nuk janë për degët në Vushtrri, Skenderaj, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Gjykata Themelore e Mitrovicës funksionon në dy objekte, objekti i vendosur në Komunën e Mitrovicës së Veriut, ku funksionon Divizioni Penal me Departmentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm, kurse në Komunën e Mitrovicës së Jugut veprojnë Departamenti për të Mitur, Departamenti i Përgjithshëm Civil si dhe ai i Kundërvajtjes.

Numri i punonjësve të lartcekur përfshin Gjykatën Themelore të Mitrovicës si tërësi.