Foto: KALLXO.com

Infermierja mori rrogë pa dalë në punë, dënohet ish-drejtori komunal

Gjykata e Gjilanit ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të lidhur në mes të akuzuarit Miroslav Stoliq dhe mbrojtësit të tij në njërën anë dhe Prokurorisë së Gjilanit në anën tjetër.

Kjo marrëveshje u arrit pasi që mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramadan Leka dhe i akuzuari Stoliq kërkuan nga trupi gjykues që të lejohen të hyjnë në marrëveshje me prokurorin Shaban Spahiu.

Miroslav Stoliq, ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kllokotit, nga Prokuroria akuzohej se Komunës së Kllokotit i kishte shkaktuar dëm afër 10 mijë euro.

Sipas aktakuzës, Miroslav Stoliq, duke qenë në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë për Arsim, Shëndetësi, Shërbime Sociale, Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kllokotit kishte keqpërdorur detyrën.

Tutje sipas Prokurorisë, Stoliq e kishte pranuar në punë Daniella Mirkoviqin si infermiere më 11 janar 2016.

Aktakuza përshkruan se Mirkoviq  kishte pranuar të ardhura personale gjerë më 1 shkurt 2018, pa u lajmëruar fare në punë dhe pa i kryer detyrat e punës për të cilat ishte pranuar.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Miroslav Stoliq nuk kishte marrë asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës me të, përkatësisht ndalesën e pagesës së të ardhurave mujore sipas kontratës në lartësi prej 399 euro në muaj me të cilin veprim e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kllokotit me 9,979.90 euro.

Marrëveshja parashihte që tashmë të dënuarit Stoliq t’i shqiptohet dënim me burgim prej 5 muaj, por që me pajtimin e të dënuarit kjo masë i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2,500 euro.

KALLXO.com pati raportuar edhe më parë për këtë çështje.

Kllokot, ish-drejtori akuzohet se i dha paga infermieres pa ardhur në punë

www.kallxo.com