Foto: KALLXO.com

Incidenti me armë në Pejë, paraburgim për të pandehurin

Të pandehurit Bashkim Racaj i është caktuar paraburgim për incidentin që ka ndodhur në Pejë ku ishte plagosur me dy plumba Sezair Belegu.

Racaj po dyshohet se ka kryer vepër penale të vrasjes në tentativë.

“Ndaj të pandehurit Bashkim Racaj, caktohet masa e paraburgimit e cila mund të zgjasë nga data 11.10.2021 gjerë më datën 10.11.2021”, thuhet në vendimin e gjykatës së Pejës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast në vazhdimësi.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Racaj më të dëmtuarin Belegu, ishin takuar atë ditë, ku i dëmtuari i ishte drejtuar atij me fjalët “A don me votu në këto zgjedhje për Gazmendin e LDK-së?”, ndërsa i pandehuri i është drejtuar me fjalët “Ti e din se unë nuk e ndërroj askënd përveç Ramush Haradinajt”.

Pastaj, sipas hetimeve, i pandehuri nuk është ndier mirë për shkak të fjalëve që ia kishte thënë i dëmtuari, duke marrë kështu armën dhe niset për te lokali i të dëmtuarit, ku njëherë gjuan në ajër e më pas gjuan dy herë në drejtim të të dëmtuarit duke e plagosur në shpinë.

I dyshuari pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kalimtarët e rastit e kanë dërguar të dëmtuarin në spital.