Incidenti me armë në Klinë, i akuzuari: Pa dashje e kam plagosur gruan time
Agron Gashi nga Klina ka mohuar sot akuzën se ka tentuar të vrasë gruan e tij.
Këtë deklarim i akuzuari Gashi e ka dhënë gjatë mbrojtjes së tij në seancë gjyqësore.
Ai po akuzohet nga prokuroria se në korrik të vitit 2020 me armë zjarri ka tentuar të privojë nga jeta gruan e tij, të dëmtuarën V. B.
I akuzuari mohoi të këtë pasur për qëllim vrasjen e bashkëshortes, ku sipas tij shkrepja e armës ka ndodhur në mënyrë aksidentale.
“… kam dalë në ballkon për të kontrolluar armën dhe për ta vendosur në vendin e tij, e kur jam dal prej derës e kam nxjerrë armën dhe jam larguar pak, arma e kish pas fishekun në tytë dhe qysh e kam prek me gisht këmbëzën, ka shkrepë, dhe pastaj kam dëgjuar britmat e bashkëshortes”, tha ai duke treguar versionin e tij për momentet kritike të ngjarjes.
I akuzuari nuk e pranoi deklaratën që ai kishte dhënë në polici lidhur me rastin, me arsyetimin se nuk i kujtohet se çka ka deklaruar.
Në këto rrethana, prokurori Agron Galani e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në polici.
“Unë jam bërë nervoz nga sjellja e tyre dhe kam shtënë në derën e hyrjes pa pas qëllim që të plagos bashkëshorten apo djalin tim”, ishte deklarata që iu lexua nga prokurori Galani.
Ndërsa i akuzuari lidhur me këtë ballafaqim, deklaroi se nuk i kujtohet ky deklarim.
“E di se kam deklaruar se pa dashje e kam plagosur gruan time, tjetër nuk më kujtohet”, shtoi ai.
Përveç mbrojtjes së të akuzuarit Gashi, para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit u dëgjuan edhe eksperti i balistikës Ilir Kuka dhe hetuesi H. L.
Ekpserti Kuka tha se lloji i armës që i është dërguar për ekzaminim mund të shkrepet në mënyrë automatike vetëm nëse ka ndonjë defekt, por që sipas tij arma për të cilën është duke u gjykuar i akuzuari nuk ka pas asnjë defekt.
Ai tha se gëzhojat janë shkrepë nga arma që ka qenë objekt ekspertimi, ndërsa xhaketa e plumbit ka qenë e dëmtuar dhe nuk ka qenë i mundur krahasimi me armën.
Ndërsa hetuesi H.L. tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja dhe një predhë.
“Një gëzhojë është gjetur në tokë rreth 20 centimetra larg verandës, ndërsa gëzhoja me numër 2 është gjetur në një patikën që ishte mbi raft në verandë” deklaroi H.L.
Seanca e radhës ku palët pritet të japin fjalën përfundimtare do të mbahet më 14 shtator.
Aktakuza e Prokurorisë së Pejës thotë se Agron Gashi me dashje ka tentuar të privojë nga jeta gruan e tij, duke rrezikuar kështu edhe jetën e djalit dhe vajzës së tij.
Sipas prokurorisë kjo ka ndodhur për shkak të një fjalosje verbale mes të akuzuarit dhe djalit të tij, ku ky i fundit ka tentuar ta largojë të akuzuarin jashtë derës hyrëse së shtëpisë.
Prokuroria pretendon se i akuzuari më të dalë jashtë ka shtënë me armë në drejtim të derës së hyrjes, e më pas i njëjti është afruar derës, ndërsa gruaja e tij me djalin, kanë mbajtur derën duke tentuar të largojnë të akuzuarin nga ty.
Aktakuza thotë se i akuzuari pastaj ka shtënë edhe dy herë në drejtim të derës, duke e qëlluar dy herë gruan e tij, e duke i shkaktuar kështu dëmtime të rënda trupore në boshin kurrizor, në gjoks dhe në parakrahun e dorës së djathtë.