Gjykimi ndaj të akuzuarve peër korrupsion 13.11.2019

Importimi ilegal i 30 demave nga Serbia, deklarohen të akuzuarit

Të akuzuarit për importimin e 30 demave për therje nga Serbia pa lejen e AVUK-ut, deklarohen të pafajshëm para gjykatës. Inspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Branislav Veselinoviq është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës, nën akuzën për korrupsion.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Izet Jashari, pronari i firmës NPT “Elbasani”, i cili poashtu ka mohuar akuzën e Prokurorisë, duke u deklaruar se aspak nuk ndihej fajtor, raporton Kallxo.

Paraprakisht, prokurori Ismet Ujkani, ka lexuar aktakuzën.

Pas deklarimit për fajësisë nga të pandehurit, gjykatësi Tomisllav Petroviq, i ka njoftuar palët me të drejtën e tyre që në afat prej 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën.

Ndërsa  lidhur me kundërshtimet gjyqtari Petroviq ka njoftuar se do të vendos jashtë seancës gjyqësore.

Ndryshe sipas Prokurorisë Veselinoviq në qershor të vitit 2016, në cilësinë e personit zyrtar në AUV, përkatësisht inspektor i veterinës në terminalin doganor në  Mitrovicë të Jugut, kishte lëshuar të hyjnë nga Serbia në Kosovë, kamionë të ngarkuar me 30 krerë dema, në vlerë prej 18,876.00 euro.

Ndërsa i akuzuari tjetër Jashari në cilësinë e agjentit dhe pronarit të NPT “Elbasani”, kishte importuar nga Serbia në Kosovë 30 krerë dema, të cilët përmes terminalit doganor ishin futur pa leje importi.

Në akuzën e Prokurorisë së Mitrovicës përshkruhen veprimet e kryera të secilit të pandehur, raporton Kallxo.

Si rezultat i tyre Branislav Veselinoviq dhe Izet Jashari ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Veselinoviq në qershor të vitit 2016, në cilësinë e personit zyrtar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, inspektor i veterinës në terminalin doganor në Mitrovicë të Jugut, kishte lëshuar të hyjnë nga Serbia në Republikën e Kosovës, kamionët të ngarkuar me 30 krerë dema në vlerë prej 18,876.00 euro.

Sipas aktakuzë, krerët me dema kishin qenë të NPT “Elbasani” me pronar të pandehurin Izet Jashari, dhe për këtë ngarkesë i pandehuri Veselinoviq kishte lëshuar certifikatën për kontrollin veteriner të kafshëve të gjalla dhe prodhimeve të tyre edhe pse për të njëjtën ngarkesë nuk kishte pasur leje importi të lëshuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës.

Kurse i pandehuri Jashari, në cilësinë e agjentit dhe pronarit të NPT “Elbasani”, kishte importuar nga Serbia në Republikën e Kosovës 30 krerë dema të cilët përmes terminalit doganor ishin futur pa leje importi.

30 krerë dema në vlerë prej 18,876.00, kishin qenë të destinuar për therje dhe se i pandehuri Jashari, kishte qenë i obliguar që t`i dërgonte në thertoren e licencuar, porse i njëjti 18 krerë dema i kishte shitur në treg me çmim prej 18 mijë euro.