Ikballe Berisha- Huduti deklarohet e pafajshme për postimin pas vrasjes së gjeneralit iranian

Ikballe Berisha- Huduti, e cila akuzohet nga Prokuroria Speciale për shtytje në veprat terroriste, është deklaruar e pafajshme në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës.

Berisha- Huduti akuzohet se përmes rrjetit social Facebook, me paramendim dhe me dashje, ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Solejmanit, nga forcat amerikane.

Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Special Afrim Shefkiu, e akuzuara deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën.

Më pas kur u pyet nga gjykatësja Albina Rama – Shabani se a e pranon fajësinë e njëjta u deklarua e pafajshme.

“Kurrsesi”, tha shkurt e akuzuara Berisha-Huduti.

Kurse nga gjykatësja Shabani e njëjta është njoftuar se brenda afatit prej 30 ditëve, ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 shtator 2020  nga Prokuroria Speciale e Kosovës, më 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, në llogarinë në emër Ikballe Berisha- Huduti në Prishtinë është postuar teksti si në vijim: “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjeherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë qe iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu MehdiMuhendisi. Zoti i dhasht durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”.

Sipas prokurorisë ajo në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Anulohet seanca fillestare ndaj kosovares të akuzuar që doli kundër vrasjes së gjeneralit iranian